Përfundon procesi i rinumërimit të votave në Tiranë
Anëtari i KAS, Ledio Braho, tha për mediat se nga rinumërimi në Tiranë ka rezultuar se nuk ka lëvizje të konsiderueshme të votave.
“Po të vini re shifrat janë më të larta te ata kandidatë që kanë marrë më shumë vota. Duket që është proporcionalitet gabimi dhe jo i qëllimshëm, sepse nëse do të kishte trafikim votash këto shifrat e mëdha do ishin te kandidatët që kanë marrë realisht pak vota. Nuk ka pasur lëvizje të konsiderueshme votash”, tha Braho.
Rinumërimi i votave nisi më 17 qershor në ambientet e Pallatit të Sportit “Fahrie Hoti” në Tiranë.
Vendimi për rinumërimin e votave u mor nga dy anëtarët e Komisionit të Ankimimeve dhe sanksioneve pas ankimimeve të subjekteve politike për parregullsi në proces.
Në Tiranë, Partia Demokratike kërkoi që të rifitojë një mandat që iu mor me një diferencë të ngushtë nga Partia Mundësia e Agron Shehajt.
Ndërkohë në Partinë Socialiste ishin disa kandidatë që shpresojnë për vota më shumë, duke qenë se janë ndarë në një rezultat të ngushtë nga kolegët e tyre në zgjedhjet e 11 majit.