Gjendja kritike në Gramsh, ministri Vengu i bashkohet Forcave të Armatosura në terren

Shqipëria

Gjendja kritike në Gramsh, ministri Vengu i bashkohet Forcave të Armatosura në terren

Më: 12 gusht 2025 Në ora: 16:23
Foto ilustrim

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Pirro Vengu, u është bashkuar Forcave të Armatosura, ekipeve te zjarrfikësve dhe organeve lokale të emergjencave civile në Gramsh.

Po kështu, në terren është dhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, teksa së bashku me forcat po mbikëqyrin terrenin dhe situatën kritike me të cilën po përballet Gramshi.

Sakaq, Ministria e Mbrotjes, ka dhënë urdhër të menjëhershëm për evakuuimin e disa zonave në Gramsh. Bëhet fjalë për fshatrat Ërmenj, Harunas dhe Zenelas. Sakaq, evakuuimi në fshatin Skënderbegas, është kryer me sukses.

“Për shkak të zjarreve, banorët e fshatrave Ërmenj, Harunas dhe Zenelas të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt”, njofton ministria e Mbrojtjes.

Kujtojmë se për shkak të flakëve në Gramsh, ka ndërruar jetë një i moshuar ditën e sotme, më 12 gusht. Policia ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00, ku i moshuari rreth 80 vjeç, ka humbur jetën si pasojë e asfiksimit.

Sipas njoftimit, ai kishte “ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit.”

Situata e zjarreve në Gramsh ka dalë nga kontrolli paraditen e sotme, me Ministrinë e Mbrojtjes që ka përsëritur disa herë thirrjen urgjente ndaj banorëve të tri fshatrave që të largohen.

“THIRRJE URGJENTE! Për shkak të zjarreve, u bëjmë thirrje banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Situata e vështirë me zjarret ka shkaktuar kaos te qytetarët, të cilët nuk i janë bindur menjëherë urdhrit të evakuimit dhe nuk kanë dashur të largohen nga banesat e tyre. Ndërkohë para urgjencës shkojnë njerëzit të traumatizuar duke qarë se nuk gjejnë familjarët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat