Partia Demokratike vendos të çojë në Kolegjin Zgjedhor vendimin për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare.
Deri në vendimin e gjykatës, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, nuk mund të dekretojë datën kur do të mblidhet Parlamenti i ri. Sipas Kodit Zgjedhor, gjykata ka 10 ditë afat për t’u shprehur në lidhje me ankimimin e Partisë Demokratike, por ky është afati maksimal që parashikon ligji. Në çdo skenar duket se nuk cenohet mbledhja e Parlamentit në datën 12 shtator, kur pritet të nisë legjislatura e re, sipas Partisë Socialiste.
Burime pranë mazhorancës bëjnë me dije se në datën 11 shtator, Kryeministri Edi Rama do të mbledhë Asamblenë Kombëtare e do të shpallë qeverinë me të cilën do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme.
Ndërkohë që një ditë më pas, më 12 shtator, do të zhvillohet edhe mbledhja e parë e parlamentit të ri. Në këtë mandat të ri qeverisës, mazhoranca socialiste ka vendosur të bëjë disa ndryshime edhe në strukturën e parlamentit, duke krijuar 11 komisione të përhershme nga 8 që ka aktualisht. Komisioni Rregullator miratoi zyrtarisht rezultatin e 11 majit me tri vota pro dhe dy kundër më 28 gusht. Pas këtij vendimi është radha e Presidentit Bajram Begaj, i cili do të dekretojë fillimin e legjislaturës së re.
Ai do të ketë një afat 10-ditor për të caktuar datën, duke nisur nga 9 shtatori, që është dhe data e përfundimit të mandatit të Kuvendit aktual.
Nga zgjedhjet e 11 majit Partia Socialiste fitoi 83 mandate, Aleanca e Partisë Demokratike 50 mandate, Partia Socialdemokrate tri mandate, Partia ‘Mundësia’ dy mandate ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një mandat. Kujtojmë se opozita ankimoi të gjitha rezultatet e qarqeve dhe për këtë arsye, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi të hapë pjesërisht disa kuti në Durrës dhe Elbasan dhe plotësisht në Fier dhe Tiranë.
Megjithatë, pavarësisht rinumërimit, rezultati nuk ndryshoi. Më datë 5 tetor mbaron mandati i Komisionit Rregullator, një prej 3 organeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 5 anëtarët e Komisionit Rregullator u zgjodhën nga parlamenti në 5 tetorin e vitit 2020, 3 si propozime të PS, 1 si propozim i PD dhe 1 si propozim i LSI dhe sipas Kodit Zgjedhor, anëtarët e rinj miratohen nga parlamenti me shumicë të cilësuar me 84 vota, shumicë e vendosur në atë kohë për të garantuar konsensus mes mazhorancës dhe opozitës. Në këtë frymë të ligjit, duket se një prej vendimeve të para që duhet të realizojë me konsensus PS e PD është zgjedhja e anëtarëve të Komisionit Rregullator. Por një kompromis mes mazhorancës e opozitës në fillimin e legjislaturës duket i vështirë për shkak të tensionit politik mes palëve dhe vendimit të opozitës për të mos e njohur rezultatin e 11 majit.
KQZ-ja u konceptua me 3 organe gjatë negociatave mes PS e PD në vitin 2020 dhe marrëveshjes së njohur si marrëveshja e 5 qershorit. Sipas kësaj marrëveshjeje, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, e ka mandatin 7- vjeçar; Komisioni Rregullator qëndron në detyrë 5 vite, ndërsa anëtarët e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve e kanë mandatin 9-vjeçar. Ideja e legjislatorit ishte që Komisioni Rregullator do të funksiononte me kohë të pjesshme dhe ka si detyrë miratimin e akteve me karakter normativ në fushën e zgjedhjeve dhe vendosjen e rregullave për zgjedhjet. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse reforma e re zgjedhore nuk do ta prekë strukturën aktuale të KQZsë, apo edhe njëherë mazhoranca e opozita do të kërkojnë një model të ri për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve./Gazeta Panorama