“Firma KAYO, që pretendon pronësinë e godinës, hyri si në një fushë beteje. Ndërsa nuk ka paraqitur asnjë dokument ligjor që kjo godinë i është dhënë kësaj firme. Ndërsa në krye të operacionit, ish-drejtori i Policisë së Shtetit ishte vendosur në shtet dhe aktualisht drejtori i firmës KAYO, Ardi Veliu.”
Sipas avokates Margarita Kola: “Ky person që vjen për të ekzekutuar këtë vendim—vendim nuk ka — por që vjen të ekzekutojë dhe të kryejë disa veprime të caktuara mbi gazetarët, qoftë dhe mbi godinën, që e ka gjithashtu titullar tek firma KAYO, e cila është një palë në këtë proces ose në këtë mosmarrëveshje ligjore; kështu që këtu ka një konflikt interesi.”
Pasditën e 9 gushtit, rreth orës 16:00, Policia e Shtetit u largua nga oborri brenda godinës News24, dhe vendin e tyre e zunë Policia Ushtarake e punonjës të firmës KAYO. Sapo doli policia nga oborri i godinës, ku në hyrje krijoi një kordon policor, me qëllimin e vetëm moslejimin e gazetarëve, punonjës civilë, nën mbikëqyrjen e Policisë Ushtarake dhe firmës KAYO, hynë në ambientet e godinës dhe zyrat e gazetarëve. Ky nuk ishte më një konflikt civil mes qiradhënësit dhe qiramarrësit.
Sipas avokates Kola: “Është antiligjore; askush nuk mundet të vijë e të futet në një pronë private pa pasur një vendim gjykate.”
Ky ishte një sulm i drejtpërdrejtë mbi redaksinë e gazetave, webeve dhe dy televizioneve: News24 dhe Panorama TV. Ky akt nuk ishte vetëm një shkelje administrative, ishte një formë e vetëgjyqësisë institucionale, ku autoriteti i ligjit u zëvendësua nga “gjuha” e forcës.
“Ndërhyrja e policisë ishte e paligjshme, jo proporcionale, dhe një herë askush nuk guxon të marrë informacionet sensitivë të gazetarëve, sepse duke marrë informacionet sensitivë zbulohen dhe burimet; të cilat i ka thënë fare qartë Gjykata e Strasburgut—e ka vendosur standard: gazetari nuk ka detyrë dhe detyrim të japë burimet nga e ka marrë ai informacionin,” u shpreh avokatja Margarita Kola.
Moszbatimi i vendimeve të gjykatës nga një kompani si KAYO, drejtuar nga ish-punonjës të policisë, nuk është vetëm sfidë ligjore; është kërcënim institucional. Ligji humbet fuqinë e tij kur individët bëhen gjykatës, prokurorë dhe ekzekutorë njëkohësisht. Ky fenomen shfaq një grusht të fshehtë mbi institucionet, ku rendi dhe drejtësia shndërrohen në fjalë të zbrazëta. Çdo refuzim për të zbatuar vendimet gjyqësore është një plagë për shtetin dhe humbet besimin e qytetarëve. Sot e pësuan gazetarët; po qytetarët, çfarë mund të presin?
Sipas avokates: “Kur bëhet kundër gazetarëve, më thoni: kush janë mekanizmat mbrojtës të qytetarit përkundrejt një ndërhyrjeje të tillë abuzive dhe në kundërshtim me ligjin?”
Ajo që e bën më të dhimbshme situatën është heshtja e institucioneve, të cilat janë “dorëzuar” para individit që abuzon me ligjin dhe, falë mbështetjes politike, vazhdon të jetë i lirë.
Sipas avokatit Arben Llangozi: “Aq e rëndë është ndërhyrja e policisë, sa mund të cënojë; dhe këto të dhëna mund të bien në dorë të Ard Veliut. Ne kemi dije të plotë — ju, ne të gjithë—që ai është pjesë e oligarkisë për të cilët ju keni investiguar, apo është pjesë e grupeve kriminale. Të mos harrojmë që ka shoqëruar Kelmend Balilin dhe shumë të tjerë; dhe në qoftë se ne do t’i referohemi dhe faktit dhe publikimeve të SKY që ne kemi parë në dosjen e tij, apo dhe vetë Prokurori i Posaçëm ka thënë që Policia e Shtetit është e inkriminuar dhe i referohet atyre përgjimeve apo atyre tabulateve telefonike që kanë nga përgjimet SKY—i referohet periudhës së Ard Veliut.”
Sot News24, po nesër…?
Sipas gazetarit Artan Hoxha: “Atë që ia bëri News24, ai mund t’ua bëjë dhe mediave të tjera; ka shembuj të mëparshëm, nuk është bërë në këtë formë, por kjo formë ishte shumë arrogante dhe shumë agresive, dhe për të dëshmuar që ‘unë jam zoti këtu dhe unë kam në dorë fatin tuaj, fatin e të gjithëve’.”
Në dosjet më problematike që janë marrë në ambientet e godinës së News24 dhe konkretisht në zyrat e gazetarëve, janë dosjet më të mëdha, sikurse ishte ajo mbi zv.kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, ku u favorizuan persona të lidhur me familjen e saj në tendera publikë. Po ashtu, u morën edhe dosjet mbi zv.ministrin Ceno Klosi, ARSH, Tatimet dhe institucione të tjera.
Margarita Kola shprehet se: “Strasburgu e ka vendosur këtë standardin që gazetari nuk është i detyruar të japë burimin e informacionit. Pikërisht Strasburgu e ka vendosur këtë standard për ta ruajtur gazetarin, sepse në qoftë se gazetari është i detyruar të japë burimin e informacionit, atëherë ai është gjithmonë i rrezikuar, ai është gjithmonë i shënjestruar.
Sepse gazetari, për shkak të profesionit që ka, mundet të shkojë dhe të zbulojë dhe të gjejë materiale dhe informacione për njerëz që mund të jenë në shkallët e larta të pushtetit — domethënë që mund të kenë akses të përdorin forcën e tyre kundër gazetarit, pushtetin e tyre ndaj gazetarit. Prandaj është shumë e rrezikshme, sepse sot bëhet tek News24, nesër mund të ndodhë në një media tjetër.”
Duke dekonspiruar punën e gazetarëve, me qëllimin e vetëm mbrojtjen e njerëzve të korruptuar dhe që kanë abuzuar me pushtetin duke shkelur ligjin.