Deputeti i PD, Tritan Shehu ka kuptuar “gabimin” pasi nuk iu bind urdhrit të Sali Berishës i cili ndaloi “besnikët” e tij që të votonin në procesion e zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit të Shqipërisë.
I pyetur përse nuk iu bind vendimit të grupit të PD për të mos votuar, Tritan Shehu është justifikuar duke thënë se shkoi dhe votoi pa vetëdije, thjesht si refleks.
“Votova kundër, refleksi i votimit”, tha deputeti demokrat Tritan Shehu.
I pyetur nga gazetarët jashtë sallës së Kuvendit, Sali Berisha u shpreh se Shehu mund të mos ketë kuptuar mesazhin e dërguar në Whatsapp për të mos marrë pjesë në proces.
Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, Shqipëria Bëhet e Lapajt dhe PSD e Tom Doshit morën pjesë në votim, kurse dy deputetët e Partisë Mundësia të drejtuar nga Agron Shehaj nuk morën pjesë në votim.
Partia Demokratike bojkoti procesin e votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Shqipërisë, duke futur në kutitë e votimit postera “MCGonidal” apo imazhe të Safet Bajrit si një pasqyrim i akuzave të opozitës për një qeveri të lidhur ngushtë me krimin.