Arrestohet 48-vjeçari në Pogradec, vidhte kabllot e ndriçimit publik

Shqipëria

Arrestohet 48-vjeçari në Pogradec, vidhte kabllot e ndriçimit publik

Më: 9 nëntor 2025 Në ora: 09:08
Foto ilustrim

Një 48-vjeçar është arrestuar nga Policia e Pogradecit pasi u kap në flagrancë duke vjedhur kabllot e ndriçimit publik.

Sipas burimeve zyrtare, në pranga ka rënë shtetasi Arjan Tare, me origjinë nga Podgoria e Maliqit dhe banues në Vërdovë të Pogradecit. Ai u ndalua mbrëmjen e djeshme në zonën e Unazës së qytetit, teksa tentonte të vidhte kabllot elektrike të shtyllave të ndriçimit.

Prej disa kohësh, policia kishte vënë në ndjekje 48-vjeçarin pas denoncimeve të shumta nga institucionet lokale dhe qytetarët për dëmtimin e infrastrukturës publike.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, u sekuestrua një sasi e konsiderueshme kabllosh të dyshuara si të vjedhura, ndërsa hetimet paraprake tregojnë se një pjesë e tyre janë shitur më parë nga autori.

Policia dyshon se Tare është i përfshirë në dhjetëra raste të ngjashme në qytet dhe në zonat përreth. Dëmi më i madh raportohet të jetë vjedhja e rreth 1000 metrave kabëll në aksin nacional Pogradec–Qafë Plloçë, segment që prej kohësh ka mbetur në errësirë, duke rritur pasigurinë për drejtuesit e mjeteve dhe banorët lokalë.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe nuk përjashtohet mundësia që 48-vjeçari të ketë pasur bashkëpunëtorë. Nga dëshmia e tij pritet të sigurohen të dhëna të tjera mbi rastet e tjera të vjedhjeve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat