Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, uroi kreun e ri të SPAK, Klodian Braho, ku përmes një deklarate u shpreh se ministria që ai drejton mbetet e përkushtuar të ofrojë të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm institucional në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.
“I uroj suksese z. Klodian Braho në përgjegjësinë e re si drejtues i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pavarësia e prokurorëve, integriteti, maturia, profesionalizmi dhe forcimi i bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar janë vërtet sfida të vazhdueshme të një institucioni kaq të rëndësishëm për vendin, i cili ruan dhe rrit besimin e publikut përmes forcës së parimeve dhe standardeve,” thotë Lamallari.
Ministri i Drejtësisë vlerësoi gjithashtu dhe punën e ish-kreut të SPAK, Altin Dumani.
“Vlerësim gjithashtu për z. Altin Dumani për punën dhe rezultatet domethënëse gjatë drejtimit të tij. Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të vijojë bashkëpunimin institucional me SPAK në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës,” thotë Lamallari.