Drejtoria Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, pas një hetimi disamujor të ndjekur me metoda speciale, finalizuan operacionin policor të koduar “Metalurgjiku”, raporton KosovaPress.
Si rezultat i operacionit u vunë në pranga 16 shtetas, konkretisht J. C., 64 vjeç, shtetas korean, E. F., 48 vjeç, banues në Elbasan, administratorë; B. A., 62 vjeç, E. B., 48 vjeç, të dy banues në Elbasan, drejtorë prodhimi; E. B., 51 vjeç, banues në Elbasan, A. R., 31 vjeç, shtetas indian, inxhinierë/drejtues teknik; R. P., 24-vjeç, S. P., 27-vjeç, D. K., 32-vjeç, R. Y., 38-vjeç, M. S., 43-vjeç, R. P., 24-vjeç, gjithë shtetas indianë, P. K., 32-vjeç, shtetas nepalez, J. K., 63-vjeç, D. Xh., 45-vjeç, të dy banues në Elbasan, përgjegjës turni/operator furre/punëtor; I. D., 60-vjeç, shefi i Sektorit të Mjedisit në Bashkinë Elbasan, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Gjithashtu, u referuan materialet procedurale në Prokurori dhe u shpallën në kërkim shtetasit B. Z., 43- vjeç, D. K., 54-vjeç, F. M., 55-vjeç, Gj. B., 48-vjeç, A. Sh., 72-vjeç, S. O., 67-vjeç, I. L., 53-vjeç, A. K., 38-vjeç, aksionarë të subjekteve tregtare, për veprat penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, “Fshehja e të ardhurave”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim dhe po punohet për kapjen e tyre.
Nga hetimet intensive, ka rezultuar se dy subjekte tregtare, të cilat ushtronin aktivitet në zonën e ish-Metalurgjikut, Bradashesh, Elbasan, kanë shkelur legjislacionin mjedisor, duke ndotur ajrin, ujërat dhe tokën, si dhe duke mos respektuar rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe përpunimin e mbetjeve të baterive.
Gjithashtu, për shkeljet e konstatuara lidhur me menaxhimin e integruar të mbetjeve, gjatë inspektimeve u vendosën masat administrative 3.000.000 lekë për një nga subjektet dhe 10.000.000 lekë për subjektin tjetër, si dhe u pezulluan aktivitetet e të dy subjekteve deri në përmbushjen e kërkesave ligjore. Po ashtu, u sekuestruan telefona mobilë dhe DVR.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.