Hill tregon prapaskenat e takimit të Baker me opozitën më 1991: Berisha ishte më aktivi

Shqipëria

Hill tregon prapaskenat e takimit të Baker me opozitën më 1991: Berisha ishte më aktivi

Më: 24 shkurt 2026 Në ora: 23:21
Hill

Pas shembjes së komunizmit në Shqipëri, kishte një debat të madh pasi njerëzit nuk dinin asgjë sa i përket demokracisë.

Christopher Hill, i cili ka qenë një nga diplomatët më të rëndësishëm amerikanë në Shqipëri gjatë periudhës së tranzicionit tregoi gjatë një interviste në emisionin “Opinion” se çfarë ndodhi pas mbërritjes së ish-Sekretarit të Shtetit, James Baker në vitin 1991.

Përveç Ramiz Alisë, ai u takua edhe me Ylli Bufin si kreu i qeverisë teknike ndërkohë që nuk mungoi një takim me opozitën e kohës. Hill tregoi se personi më aktiv gjatë atij takimi ka qenë Sali Berisha.   

Hill rrëfeu se amerikanët ishin të shqetësuar se mos binte qeveria dhe krijohej kaos në vend. Ai shtoi se ajo që i tërhoqi Sekretarin Baker ishte se Partia Demokratike premtoi shkëputje të plotë nga e kaluara.

Blendi Fevziu: Cilët janë njerëzit më të rëndësishëm që mbani mend nga 1991?

Christopher Hill: Më 1991 erdhi Sekretari i Shtetit,Baker, i cili u takua me Ramiz Alinë. Mendoj se u takua me kreun e qeverisë teknike në fuqi…

Blendi Fevziu: Ylli Bufi.

Christopher Hill: Po, me Ylli Bufin, të cilin edhe unë e takova disa herë sigurisht. Më pas u takua me opozitën. E takoi opozitën në një dhomë të vogël te Hotel Dajti. Teksa hyn te Hotel Dajti, ndodhej në të majtë. Kishte diku te 8–10 njerëz. U takua me një sërë personash, mes të cilëve ishte edhe Sali Berisha, personi më aktiv dhe foli më shumë. Nuk kam për të hyrë në politikën moderne shqiptare, sepse kjo është diçka që i përket shqiptarëve, jo amerikanëve. Po ju them se në atë kohë, kur erdhi Sekretari Baker, ishte i shqetësuar se çfarë kishte për të ndodhur tanimë që ky shtet ishte duke u hapur dhe cilat do të ishin hapat e radhës këtu. Mbaj mend që u ndje i sigurt pas takimit me opozitën.

Blendi Fevziu: Cilat ishin problemet që kishin amerikanët për sa i përket të ardhmes së vendit?

Christopher Hill: Ishin të shqetësuar…

Blendi Fevziu: Të shqetësuar për çfarë?

Christopher Hill: Ishin të shqetësuar se mos binte qeveria. Popullsia ishte shumë aktive dhe energjike kundër Partisë Popullore. Sigurisht që kjo është diçka e kuptueshme dhe ne e mbështesnim, por çështja është se nuk do që të zëvendësosh diçka me kaos. Shqetësimi ishte që, nëse do të kishte kaos, do të kishte refugjatë dhe probleme nga të gjitha llojet. Mendoj se takimi me opozitën, me opozitën e Partisë Komuniste, dha një farë sigurie që mund të kishte një tranzicion të qetë.

Blendi Fevziu: Megjithatë ju ofruat mbështetje të plotë dhe të hapur opozitës në Shqipëri. E mbani mend në mars të 1992, kur ambasadori Ryerson qëndroi në krah të Berishës në takimin e madh të fitores.

Christopher Hill: Po. Mendoj se kjo çështja e tërheqjes së diplomatëve amerikanë në grumbullime politike ishte diçka problematike. Shpresoj që kjo nuk ka për të ndodhur sot.

Blendi Fevziu: Në atë kohë mendoj se ishte në rregull.

Christopher Hill: Kjo është çështja. Partia Demokratike premtoi shkëputje të plotë nga e kaluara. Premtoi shkëputje të plotë nga komunizmi dhe jo tranzicion nga komunizmi në socializëm europian, por një kalim të plotë. Mendoj se kjo i tingëlloi tërheqëse Baker-it dhe të tjerëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat