Tirana në flakë nga protestuesit – rriten tensionet, detajet e fundit

Shqipëria

Tirana në flakë nga protestuesit – rriten tensionet, detajet e fundit

Më: 28 shkurt 2026 Në ora: 10:30 Përditësuar në ora: 23:25 më 28.02.2026
Foto nga protesta

Reagon sërish Koçiu: Përgjigjja institucionale do të jetë e paprecedentë

Aktualisht janë 11 protestues të ndaluar nga policia pas akteve të dhunshme në rrugët e Tiranës mbrëmjen e sotme.

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar sërish pas akteve të dhunës nga protestuesit e opozitës gjatë marshimit në Tiranë, duke i cilësuar ato si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë shqiptare, turizmit dhe imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.

Sipas Koçiut, “u vërtetua se objektivi i vërtetë i kësaj dhune është dëmtimi i drejtpërdrejtë i ekonomisë shqiptare, sabotimi i turizmit dhe përpjekja për të nxirë me çdo kusht imazhin e Shqipërisë në sytë e botës, pikërisht në momentin tonë më të mirë”.

Koçiu theksoi se, “sot u shfaq hapur dhe pa asnjë dritëhije objektivi i vetëm i Sali Berishës dhe familjes së tij: mbajtja peng e Shqipërisë për llogaritë e tyre personale”.

Një person i paidentifikuar në selinë PD me pajisje përgjimi, Berisha: E ka dërguar Ilir Proda dhe Vlora Agasi

Kryetari PD-së komentoi dhe incidentin e shënuar në selinë e Partisë Demokratike gjatë protestës. Një person, i cili dyshohet se është polici civil ka arritur të hyjë në selinë PD-së me një pajisje përgjues që funksionon me Bluetooth.

Pjese nga deklarata e Berishes

Zoti Berisha, është e vërtetë që është gjetur një pajisje përgjimi brenda në ambientet e PD?

Sali Berisha: Po, është e vërtetë. Ajo pajisje po studiohet. Punonjësit kanë kapur një person, i cili ka ardhur këtu për të vendosur një pajisje. Se çfarë është pajisja, nuk mund të flas se duhet të pyes inxhinierët dhe teknikët e fushës. Por më thanë që është një pajisje shumë e kushtueshme. Dhe ai nuk largohet se thotë ma jepni pajisjen. Pajisjen, sill pak identitetin dhe kush të ka dërguar se pajisje nuk merr më ai.

I vihet flaka vilës së ish-diktatorit?

Ish-vila e Enver Hoxhës është përfshirë nga flakët këtë mbrëmje, pasi protestuesit e PD kanë hedhur në drejtim të godinës së ish-diktatorit dhjetëra molotovë dhe fishekzjarrë.

Zjarri ka përfshirë godinën, ndërsa menjëherë kanë ndërhyrë autoritetet duke hedhur ujë, raporton gazetarja e Top Channel Elda Menga.

Protestuesit më pas janë larguar duke marshuar në drejtim të Kryeministrisë, aty ku është vendosur një kordon policie.

“Kryengritje paqësore”, Noka mes protestuesve: Tirana është në duart e qytetarëve, vazhdojmë

Flamur Noka tha se Tirana është në duart e qytetarëve, ndërsa vijonte marshimin bashkë me tubuesit.

Ai tha se marshimi është paqësorë dhe se do të vazhdojë.

“Kryengritja paqësore vazhdon, pavarësisht dhunës, pavarësisht se narko Proda urdhëroi pengimin e marshimit, asgjë nuk e ndalon. Tirana është në duart e qytetarëve, kryengritja është në duart e qytetarëve”, tha Noka për mediat.

Protesta e PD, reagon Edi Rama

Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e sotme që po zhvillon opozita në rrugët e kryeqytetit.

Në një postim në rrjetin social X, Rama ka ndarë foto nga sulmet në Iran dhe një foto nga protesta dhe një kosh që digjet pas molotovëve, duke shkruar me ironi se “Shqipëria me botën e lirë kundër mullahëve të Teheranit, opozita shqiptare me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës”.

Protestuesit marshojnë drejt Parlamentit

Protestuesit janë tërhequr nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

Sipas itinerarit që po ndiqet nga demokratët, destinacioni i radhës besohet të jetë Parlamenti i Republikës së Shqipërisë.

Sakaq, protestuesit vijojnë të hedhin molotovë në rrugë.

Përplasjet mes protestuesve dhe policisë, një qytetar humb ndjenjat nga gazi lotsjellës

Një qytetar ka humbur ndjenjat për shkak të gazit lotsjellës.

Gazin lotsjellës e hodhi policia në drejtim të protestuesve pasi nisi përplasja fizike mes tyre.

Nga marshimi i kryeministrisë drejt godinës së Policisë së Shtetit u hodhën disa molotovë drejt koshave të mbeturinave, të cilat morën flakë.

Policia nuk lëviz, hidhet ujë me presion ndaj protestuesve

Kanë nisur përplasjet e para mes protestuesve dhe forcave policore, pasi po tentohet çarja e kordonit të vënë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Po lëshohet ujë me presion në drejtim të protestuesve, ndërsa blutë qëndrojnë stoikë aty ku janë pozicionuar. Është hedhur edhe gaz lotsjellës.

Berisha komenton protestën dhe molotovët: Ka shpërthime revolte, po shkojmë drejt Prodës se është si Edi Rama

Sali Berisha, kreu i Partia Demokratike, ndaloi për të folur me gazetarët gjatë marshimit të protestës së opozitës drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë sot. Ai komentoi qëllimin e protestës dhe arsyen e marshimit drejt institucioneve të policisë.

Berisha tha se marshimi i revoltës në rrugët e Tiranës synon të shprehë zemërimin popullor ndaj kreut të organizatës kriminale.

“Për ti thënë Edi Ramës, jo një lubi, por edhe 30 lubi, po t’i largosh, do të jesh ti objekti kryesor. Do të jetë Edi Rama dhe vetëm Edi Rama çështja kryesore e betejës sonë. Ai është gjeneratori i të gjitha të këqijave të lidhura me regjimin e tij. Largimi i njërit apo tjetrit nuk e zgjidh problemin; aty është edhe një nga kryebanditët e narko-shtetit, Ilir Proda. Revolta shkon drejt tij; sa ka të ardhme Edi Rama, aq ka edhe Proda.”-tha Rama

Përplasje mes protestuesve dhe policisë, hidhen gurë drejt kordonit të efektivëve

Kanë nisur përplaset e para mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.

Gazetaret e Top Channel që ndodhen në terren, Elda Menga dhe Dorjana Bezat, raportojnë se drejt kordonit të policisë janë hedhur gurë.

Deri më tani nuk raportohet për të lënduar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat