Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas takimit që pati me artistët e huaj të cilën mbrëmjen e së shtunës u përballën me një situatë aspak të pranueshme, si pasojë e molotovëve dhe fishekzjarrëve të hedhur në drejtim të vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, aty ku dhe ata po qëndrojnë prej javësh.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, kreu i qeverisë bëri me dije se artistët vijonin të ishin të traumatizuar nga ajo që kaluan një natë më parë, të cilën e ka cilësuar si “çmenduria e barbarisë së mbrëmshme”.
“Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush”, shkruan Rama, teksa më tej theksoi se gjyqtarët të cilët lirojnë protestuesit, janë bashpëpërgjegjës për këto ngjarje.
“Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj”, thekson Rama.
Postimi i plotë:
Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjoz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme.
Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush!
Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë me bekimin e nën hyqmin e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale!
Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj!