Ura mbi lumin Shkumbin në Çengelaj rrezikon degradimin, banorët kërkojnë ndërhyrje

Shqipëria

Ura mbi lumin Shkumbin në Çengelaj rrezikon degradimin, banorët kërkojnë ndërhyrje

Më: 5 mars 2026 Në ora: 19:38
Foto ilustrim

E ndërtuar më shumë se gjashtë dekada më parë, ura e digës në Çengelaj mbi lumin Shkumbin, që lidh zonën e Peqinit me atë të Belshit, po përballet me rrezik serioz degradimi, duke ngritur shqetësime për sigurinë e qarkullimit.

Banorët thonë se infrastruktura në këtë zonë është lënë për vite me radhë me investime të pakta dhe ndërhyrje sporadike, ndërsa ura ka vijuar të përdoret intensivisht nga automjete të ndryshme, përfshirë mjete të tonazhit të rëndë. Sipas tyre, kjo ka ndikuar ndjeshëm në amortizimin e saj dhe në përkeqësimin e gjendjes strukturore.

Banorët shprehen të shqetësuar për gjendjen e urës dhe pasojat që mund të sjellë një shembje e mundshme.

“Ka marrë shumë ulje dhe nga mjetet e rënda do të këputet një ditë. Mungojnë shumë gjëra, lart i kanë bërë trashësi ata, por nuk e kanë niveluar që të vejë ura tamam. Kjo rrugë ka mbi 70 vjet, rrezik ka se Bashkia Belsh dhe të gjithë këto fshatra këtej kalojnë, s’ka ku kalojnë vend tjetër. Gjatë verës bënë një shtresë mbrojtëse këtu poshtë, se ka rrezik shembjeje, rrezikohet”, është shprehur një banorë i zonës.

Ura shërben si një pikë e rëndësishme lidhëse për disa fshatra dhe njësi administrative në zonë. Çdo problem me funksionimin e saj do të ndikonte drejtpërdrejt në lëvizjen e banorëve dhe transportin e mallrave, duke izoluar dhjetëra komunitete që lidhen me Peqinin dhe Belshin.

“Këtë e kanë bërë italianë që në kohët e tyre, vetëm riparime ka, asgjë tjetër. Edhe mund të shembet. Sa fshatra mund të bllokojë? Bllokon komplet komunën e Shezës, Grykshit, Pekisht, Belsh. Ka shumë ditë që bllokohet kjo urë, hamë trafik këtu dhe bëhet kaos. Kjo ka që në kohën e italianit. Mund të rrezikohet se duket që ka marrë bark dhe mund të shembet”, është shprehur një qytetar tjetër.

Për të parandaluar çdo situatë të mundshme rreziku, Bashkia Peqin ka vendosur ndalimin e qarkullimit të mjeteve mbi 3.5 ton në këtë segment. Kjo masë synon të reduktojë ngarkesën mbi urë deri në një ndërhyrje më të thellë infrastrukturore që do të garantonte sigurinë e plotë të qarkullimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat