Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin nga punimet e Kuvendit të kreut të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi dhe deputetit Klevis Balliu, duke i akuzuar se penguan zhvillimin normal të seancës parlamentare.
Sipas kërkesës së PS, Bardhi propozohet të përjashtohet për 10 ditë, ndërsa Balliu për 30 ditë.
Socialistët argumentojnë se gjatë seancës plenare të 5 marsit 2026, dy deputetët demokratë kanë penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit, duke përdorur gjuhë të papërshtatshme dhe duke bllokuar foltoren e Kuvendit.
Seanca e djeshme u shoqërua me përplasje dhe debate mes mazhorancës dhe opozitës, pas deklaratës së kreut të grupit socialist Taulant Balla ndaj Albana Vokshit. Për këtë grupi parlamenatr i Partisë Demokratike ka bërë një kërkesë për përjashtim 60 ditor nga parlamenti për Ballën.
Sekretariati i Etikës do të mblidhet të hënën për të shqyrtuar kërkesën, ku në orën 14:00 do të merret në shqyrtim kërkesa e PS-së për përjashtimin e dy deputetëve demokratë, ndërsa në orën 15:00 do të shqyrtohet kërkesa e Partisë Demokratike për Ballën.