Këlliçi akuza mazhorancës: Rama imunitet për të korruptuarit, i vuri kufi drejtësisë për shpërdorimin e 1,1 mld eurove të Ballukut!

Shqipëria

Këlliçi akuza mazhorancës: Rama imunitet për të korruptuarit, i vuri kufi drejtësisë për shpërdorimin e 1,1 mld eurove të Ballukut!

Më: 12 mars 2026 Në ora: 12:18
Foto ilustrim

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka hedhur akuza të forta ndaj mazhorancës dhe kreut të saj Edi Rama, menjëherë pasi përfundoi seanca plenare në Kuvend, ku u rrëzua me 82 vota kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, zv/kryeministres së shkarkuar, pezulluar dhe e marrë e pandehur.

Ai i cilëson “82 votat e turpit” dhe vë në dukje se Rama me këtë proces i vuri kufirin drejtësisë për të hetuar vjedhjet dhe shpërdorimin e 1,1 mld eurove për të cilat është marrë e pandehur Balluku.

“82 votat e turpit, kundër Shqipërisë! Edi Rama sapo ngriti kartonat në Kuvend për të krijuar imunitet ekstra para drejtësisë dhe për të mbrojtur korrupsionin, duke shënuar një rekord të shëmtuar e historik. Rrëzimi i kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, e pandehur me akuzën e shpërdorimit të 1.1 miliardë eurove, është kufiri që Edi Rama i vendos drejtësisë”, shprehet deputeti me një postim në rrjetin social Facebok.

Më tej ai thekson se “Shqipëria nuk e kaloi testin kritik” dhe i tregoi ndërkombëtarëve dhe shqiptarëve se po ngrihet sulltanati i kryeministrit Rama. Në fund deputeti paralajmëron se opozita dhe shqiptarët nuk do lejojnë që vendi të bjerë në greminë.

Postimi i Belind Këlliçit:

“82 votat e turpit, kundër Shqipërisë!

Edi Rama sapo ngriti kartonat në Kuvend për të krijuar imunitet ekstra para drejtësisë dhe për të mbrojtur korrupsionin, duke shënuar një rekord të shëmtuar e historik.

Rrëzimi i kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, e pandehur me akuzën e shpërdorimit të 1.1 miliardë eurove, është kufiri që Edi Rama i vendos drejtësisë.

Eshtë e qartë se aferat për të cilat hetohet Balluku, janë afera të Edi Ramës, ku ai është totalisht i përfshirë. Ndaj, mbrojtja e saj u bë për Kryeministrin e shumicën, më e rëndësishme se integrimi i vendit, se raportet me Brukselin, se barazia para ligjit, se lufta ndaj korrupsionit.

Me votimin e turpshëm sot që do të mbahet mend gjatë dhe do të ngelet si vepër e Edi Ramës dhe e të gjithë atyre deputetëve që ngritën kartonin pro-korrupsionit e kundër drejtësisë, u shkel haptazi vija e kuqe.

Shqipëria nuk e kaloi testin kritik. Edi Rama u tregoi qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, me votë, me vendim Parlamenti, se ai ngriti sot sulltanatin e tij privat.

Ky regjim hajdutërie i themeluar sot në Kuvend, nuk do ta ketë jetën të gjatë sepse është ngritur kundër vlerave, parimeve e aspiratave të shumicës së shqiptarëve.

Shqiptarët nuk meritojnë të kenë një Republikë të Korrupsionit, ku abuzimi me fondet publike dhe paratë e shqiptarëve mbrohet me votë.

Vendi ynë sot është pranë një gremisje të rrezikshme. Por, në honin e zullumit të tij do të bjerë Edi Rama.

Bashkë me qytetarët, nuk do lejojmë që ai të marrë me vete dhe Shqipërinë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat