“Atdheu nuk është në shitje” - Protesta e 25-të kundër Edi Ramës, qytetarët paralajmërojnë masa më të ashpra

Shqipëria

“Atdheu nuk është në shitje” - Protesta e 25-të kundër Edi Ramës, qytetarët paralajmërojnë masa më të ashpra

Më: 24 qershor 2026 Në ora: 09:33 Përditësuar në ora: 22:48 më 24.06.2026
Qytetarët në protestë kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Mbyllet marshimi, qytetarët stacinohen para Kryeministrisë

Protesta e 25-të radhazi kundër kryeministrit Rama u mbyll sërish para godinës së qeverisë, ku qytetarët u stacionuan dhe përsëritën kërkesën e tyre kryesore për largimin e Ramës.

Pas fjalimeve të mbajtura para godinës së Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin nëpër akset kryesore të kryeqytetit. Pavarësisht reshjeve të shiut që shoqëruan pjesërisht tubimin, qytetarët vijuan protestën pa u tërhequr deri në përfundim të saj.

Marshimi kaloi nga zona e Kryeministrisë drejt qendrës së qytetit, pranë 9-Katësheve, Bankës së Shqipërisë dhe Shallvareve, për t’u rikthyer më pas në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Gjatë gjithë itinerarit, qytetarët brohoritën në kor thirrjen “Rama jep dorëheqjen”, e cila është kthyer në sloganin kryesor të protestës që prej nisjes së saj.

Në tubim u dëgjuan gjithashtu edhe thirrje të tjera kundër qeverisë dhe klasës politike, përfshirë “Rama, Rama, f*ck you”, një referencë ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama në një intervistë për Financial Times.

Protestuesit kërkuan gjithashtu hetimin dhe arrestimin e figurave politike, me thirrje si “Arresto Ballukun” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.

Në përfundim të protestës, qytetarët deklaruan se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, duke këmbëngulur se kërkesa për largimin e qeverisë mbetet e panegociueshme.

Pankartat epike nga protesta e 25-të: Tirana digjet, Rama krihet! Mjaft votuat të njëjtët fytyra

Edhe sot në ditën e 25-të mijëra vetë u mblodhën para Kryeministrisë për të protestuar kundër qeverisë Rama.

Qytetarët mbajtën fjalime dhe më pas vijuan marshimin e përnatshëm rrugëve të kryeqytetit.

Sakaq, si çdo herë ata kishin edhe pankartat e protestës, disa prej të cilëve mund t’i shikoni më poshtë.

Image

Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje të forta, mes tyre “Rama jepe dorëheqjen” dhe”Shqipëri e Re”.

Lexo lajmin e plotë këtu!

Protestuesit tjetër leksion qytetarie! Masa kilometrike e qytetarëve i hap rrugën ambulancës pranë qendrës së Tiranës

Mijëra u mblodhën edhe sot në ditën e 25 të protestave kundër qeverisë Rama.

Pas fjalimeve nën shi para Kryeministrisë, qytetarët vijuan marshimin masiv në rrugët e kryeqytetit.

Ndërkohë që ndodheshin në afërsi të qendrës së Tiranës, masa kilometrike e protestuesve ka ndaluar papritur, duke lejuar të kalojë një ambulancë.

Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje të forta, mes tyre “Rama jepe dorëheqjen” dhe”Shqipëri e Re”, ndërsa pjesëmarrësit kanë theksuar vendosmërinë për të vijuar mobilizimin.

“As furtuna s’e ndal popullin”/ Protestuesi: Rama mundohesh me linçime, por nuk do ja dalësh. Dorëheqje pa kompromis

Nën shi dhe me thirrje kundër qeverisë, vijon revolta para Kryeministrisë.

“Atdheu nuk është në shitje”, janë këto thirrjet që jehojnë përpara Kryeministrisë në protestën 25 kundër kryeministrit Rama.

Revolta e shqiptarëve nuk e ndal as shiu. Protestuesit kanë vijuar protestën e  25 kundër kryeministrit Edi Rama.

“Nuk ka shi breshër, furtunë që ndal vullnetin e popullit. Rruga jonë është në vijë të drejtë. Vetëm drita e shqetëson errësirën dhe ky popull është drita që shqetëson errësirës brenda. Edi Rama me çakenjtë të tij mundohen të masakrojnë me fjalë e linçime, por kjo nuk bën më punë. Ka edhe disa analfabetë andej Drinit që thurin vargje e elozhe të paqena…Por realiteti është realitet. Qëndrojmë deri në shkëputjen e sistemit mafioz shtetëror…Rama dorëheqjen pa kompromis, e ke të gatuar nga populli".

​Begaj për protestën: Shqetësimet në mënyrë paqësore, e drejta për t’u shprehur- vlerë e mbrojtur

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka reaguar për protestën qytetare, duke deklaruar se po shprehin shqetësimet e tyre në mënyrë paqësore.

Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se “e drejta për t’u shprehur në pajtim me Kushtetutën është vlerë e mbrojtur”.

“Kam kënaqësinë e veçantë të jem sot mes jush në këtë përvjetor jubilar, përvjetor që shënon një shekull nga krijimi i Prefekturës së Tiranës, një shtyllë e rëndësishme që ka shoqëruar dhe dëshmuar rritjen e shtetit shqiptar në epoka të ndryshme të historisë sonë moderne.

Njëqind vjet histori për një institucion do të thotë një shekull përgjegjësi, përkushtim, sfida të mëdha dhe transformime të thella.

Është një rrugëtim gjatë të cilit Shqipëria ka kaluar nga hedhja e themeleve të administratës shtetërore, përmes stuhive të kohërave të trazuara, e deri te konsolidimi i vlerave demokratike dhe rruga e pakthyeshme drejt integrimit europian.

Krijimi i Prefekturës së Tiranës në vitin 1926 përkoi me një vullnet të madh kombëtar për modernizimin e vendit dhe forcimin e autoritetit të ligjit. Që prej asaj kohe, ky institucion ka shërbyer si një urë lidhëse e pacënueshme midis qeverisjes qendrore dhe komuniteteve vendore, duke garantuar stabilitet, rend dhe zhvillim.

Nëse Tirana e vitit 1926 ishte një kryeqytet i ri, me ambicie të mëdha, por me mundësi modeste, Tirana e sotme është krejt tjetër gjë. Ajo është zemra politike, ekonomike dhe kulturore e kombit, një metropol dinamik që reflekton energjinë, transformimin dhe aspiratat e Shqipërisë së shekullit të 21-të.

Në këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm, Prefektura ka qenë aty: pranë qytetarëve në ditë zhvillimi e prosperiteti, por edhe në momentet më të vështira të krizave apo fatkeqësive natyrore, duke mishëruar në çdo hap seriozitetin dhe vazhdimësinë e shtetit.

Përvjetorë të tillë janë para së gjithash, një ftesë për të nderuar kujtesën dhe kontributin. Ndaj, dëshiroj të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që shërbyen këtu ndër vite: prefektët, nëpunësit dhe punonjësit e thjeshtë të administratës. Me profesionalizmin dhe integritetin e tyre, ata ndërtuan traditën shtet-formuese që ne e gëzojmë edhe sot.

Ky jubile nuk na fton vetëm të kthejmë kokën pas. Ai na kërkon të shohim me përgjegjësi drejt së ardhmes. Ky aktivitet zhvillohet në një moment kur qytetarë po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore. Në respekt të pozicionit kushtetues, neutralitetit kushtetues, mund të theksoj se e drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, e cila duhet të ushtrohet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit mbështeten në angazhimin e përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe interesin kombëtar dhe atë publik. Korniza kushtetuese, së bashku me rregullat e shtetit ligjor dhe demokracisë përbëjnë garancinë kryesore për funksionimin e drejtë të shoqërisë.

Si President i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes evropiane dhe përkatësisë dhe vlerave Euroatlantike të vendit.

Të nderuar pjesëmarrës, Ky jubile na fton të mendojmë për rëndësinë që administrata publike ka për qytetarët.

“Duhet të hapim GoFundMe për të shpëtuar sepse në spitale nuk ka ilaçe”, protestuesja apel Evropës: Bëhuni me popullin dhe jo me autokratin!

“Edi Rama o tradhtar me Shqipërinë mos bëj Pazar”, janë këto thirrjet që jehojnë përpara Kryeministrisë në protestën 25 kundër kryeministrit Rama.

Revolta e shqiptarëve ka vijuar pa ndalur për 25 ditë me radhë pas asnjë ndalesë.

Një protestuese ka pasqyruar realitetin e hidhur me të cilën përballen shqiptaret nga mungesa e ilaçeve, te korrupsioni te shkatërrimi i arsimit.

“Një shoqëri që nuk e ndali as presionet për vendin e punës, as etiketimet personale të zotit Rama, nuk e ndal as shiu. Sot po i thotë Europës bëhuni me ne dhe jo me autokratin. Në një nga këto ditë, një nga shokët tanë bëri një pyetje…Mirë ne Diaspora që s’kemi frikë, po ju në Shqipëri a keni frikë që dilni në protestë? Dhe ju përgjigja, a jetohet me një kryeministër autokrat, me oligarkë që iu marrin edhe malin dhe detin? Sistemit të drejtësisë i kërkojmë të shkojnë deri në fund. Edhe trotuari merret për të bërë pallat e kulla. A jetohet siç jetojnë shqiptarët që duhet të hapësh GoFaundMe ose të marrësh borxh sepse ne spital nuk ka ilaçe”, u shpreh një tjetër protestuese.

Dita e 25-të e protestës masive, Protestuesi: Nuk i tolerojmë më të korruptuarit! Përshkallëzimi do shkojë deri në bllokimin e institucioneve

As reshjet e shiut që kanë nisur pak më parë në kryeqytet nuk e kanë zbehur revoltën qytetare. Ka nisur dita e 25-të e protestës masive para Kryeministrisë, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur sërish për të kërkuar rrëzimin e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Një prej protestuesve pasi ka përsëritur kërkesat e revoltës, ka paralajmëruar përshkallëzimin e protestës deri në bllokimin e institucioneve.

“Shqiptarët nuk do tolerojnë më këta të korruptuar që nuk shkulen nga institucionet. Përshkallëzimi do shkojë deri në bllokimin e institucioneve nëse këta zyrtarë të korruptuar do i uzurpojnë ato me dhunë”, u shpreh ai.

Sakaq, protestuesit kanë renditur sërish në mënyrë të prerë pikat e panegociueshme, ku në krye qëndron largimi i menjëhershëm i Edi Ramës dhe instalimi i një kabineti teknik për të përgatitur zgjedhjet.

Kërkesat kryesore të rilexuara sot në shesh:

Dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama.

Krijimi i një qeverie teknike me një mandat të qartë 12-mujor.

Ndryshime rrënjësore kushtetuese dhe ligjore, ku përfshihen:

Reformimi i plotë i Kodit Zgjedhor;

Rregulla të reja e të rrepta për financimin e partive politike;

Kufizimi i mandatit të kryeministrit në maksimum vetëm dy mandate.

Anulimi urgjent i politikave dhe ligjeve që dëmtojnë interesin publik, konkretisht:

Ligji për Zonat e Mbrojtura;

Ligji për Trashëgiminë Kulturore;

E ashtuquajtura “Paketa e Maleve”;

Ligji për Statusin e Investitorëve Strategjikë.

Hartimi i një kontrate të re sociale mes qeverisë dhe qytetarëve shqiptarë.

“Më kanë shembur shtëpinë”- Flet protestuesi: Nëpër zyrat e shtetit ka arrogancë! Rama e ka kthyer vendin në burg

Një prej qytetarëve protestues shpreh se shteti i ka shembur shtëpinë prej 10 vitesh dhe ende është me bonusi qiraje dhe shteti nëpërë zyra tregohet arrogantë dhe nuk i jep zgjidhje. Ai shton se Rama e ka kthyer vendin në burg.

Protestuesi: Nuk kanë lënë gjë pa vjedh. Taksat nuk e dimë ku shkojnë. Nafta më e shtrenjtë se kudo. Na kanë shembur shtëpiat. Kam vite me bonus qiraje nuk di se kur do marr shtëpinë. K

u të shkojmë ne? Iku jeta ime. Jam gati me bo gjithçka jam i vdek për veti. Fëmijët i kam me shkollë nuk i merr kush në punë. Nëpër zyrat ka shumë arrgancë. Shko te ujësjellësi i njëjti gjë.

Kam djalin dhe vajzën pa punë. Ku t’ia nisësh ku ta lësh. Shqipëri hesapi. Afganistan. E ka kthyer në burg Edi Rama.

Protesta në ditën e 25-të, qytetarët marshojnë para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur me marshimin drejt kryeministrisë për të vijuar me protestën e 25-të kundër establishmentit politik.

Ndërkohë të tjerë protestues kanë kaluar përsëri natën në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ duke vijuar me qëndresën.

Thirrjet janë po të njëjtat, ‘Rama në burg, Berisha në burg’, e ‘Rama jepe dorëheqjen’.

Ndërkohë organizatorët e protestës kanë bërë publike dhe listën me kërkesat drejtuar qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke nisur nga dorëheqja e këtij të fundit, krijimi i një qeverie tranzitore e te kufizimi deri në 2 vite i mandatit të kryeministrit.

“U zgjua shpresa, fundi i një demokracie fasadë”, studiuesi Behar Gjoka i bashkohet protestës kundër Ramës, thirrja për SHBA dhe Evropën: Sot bëhet fjalë për ekzistencë!

Protestës në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama, i është bashkuar edhe një profesor i Letërsisë, i cili ka renditur disa argumente të rëndësishme pse kjo protestë nuk duhet të ndalet.

Kjo protestë, zgjoi dëshirën, endrrën dhe shpresën dhe një tregues që shqiptarët janë si feniksi.

“Paguajmë korrupsionin, dhunën shtetërore. Paguajmë ujin që nuk është I pijshëm. Mosrealizimi I të drejtës së përfaqësimit, dhe ndaj duhet të protestojmë. E drejta e fjalës është e dhunuar.

Flet kryeministri në të gjitha televizionet, nuk dëgjohet qytetari. Këta përfaqësojnë derisa marrin votat. Po shkatërrojnë Shqipërinë, jetën e qytetarit…Nëse kupa u derdh, atëherë çfarë ka mbetur për t’u bërë. Evropa dhe Amerika duhet të kuptojë se është çështje e dhunimit të të drejtës së ekzistencës dhe jo vetëm e Zvërnecit”, u shpreh një profesor, duke shtuar: “Ky moment është fundi i një demokracie, fiktive, fasadë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat