Përfundon protesta e 65-të kundër qeverisë, qytetarët mbyllin marshimin në Sheshin Skënderbej
Ka përfunduar protesta dhe marshimi i 65-të radhazi kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, i organizuar nga qytetarët që kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe largimin e kabinetit qeveritar.
Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin nëpër rrugët kryesore të Tiranës.
Fillimisht ata u drejtuan drejt godinës së Parlamentit, për të vijuar më pas në zonën e 9-Katësheve. Më tej, marshimi kaloi në Rrugën e Barrikadave, ndërsa protestuesit u rikthyen në Bulevardin Zogu I, pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Marshimi përfundoi në Sheshin Skënderbej, ku qytetarët mbyllën protestën e ditës së 65-të me thirrjet që kanë shoqëruar tubimet që prej fillimit të lëvizjes, si “Rama jepe dorëheqjen”, “Fitore” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.
Edhe në përfundim të protestës, organizatorët ritheksuan se tubimet do të vijojnë çdo ditë deri në realizimin e kërkesës së tyre kryesore, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa i bënë thirrje qytetarëve dhe diasporës shqiptare t’u bashkohen protestave në ditët në vijim.