“Rama, jep dorëheqjen!” –Mbyllet protesta e 73-të kundër qeverisë, protestuesit thirrje për largimin e kryeministrit!: Nesër më shumë!

Shqipëria

“Rama, jep dorëheqjen!” –Mbyllet protesta e 73-të kundër qeverisë, protestuesit thirrje për largimin e kryeministrit!: Nesër më shumë!

Më: 11 gusht 2026 Në ora: 19:35 Përditësuar në ora: 22:52 më 11.08.2026
Fotoilustrim

“Rama jepe dorëheqjen” – Mbyllet protesta e 73-të kundër qeverisë, protestuesit thirrje për largimin e kryeministrit!

Të vendosur për largimin e kryeministrit Edi Rama, protestuesit u mblodhën sërish në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara godinës së Kryeministrisë në ditën e 73-të të revoltës së tyre kundër qeverisë.

Ata u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas vijuan drejt Kryeministrisë, kur mbajtën disa fjalime, përmes të cilave artikuluan problemet me të cilat përballen si dhe keqqeverisjen.

Krahas dorëheqjes, ata kërkuan serish arrestimin e kryeministrit dhe vënien e tij përpara drejtësisë. Kërkuan edhe arrestimin e ish vartëses së tij Belinda Balluku, ish zv kryeministrja tashmë e vënë nën akuzë nga SPAK, por edhe të liderit të PD-së, Sali Berisha, të cilët e akuzojnë se bashkëpunon me Edi Ramën për interesa të tyre personale.

Ata paralajmëruan pjesëmarrje të lartë në shtator, duke thënë se me vendosshmërinë e tyre, qeveria do të bëjë gati ‘valixhet’ e do të largohet.

Aktivistja Vatnikaj: Shqipëria është në zjarr, por shteti s’ka buxhet për emergjencat civile! I çoi paratë për koncertin e Kanye West

Aktivistja Sidorela Vatnikaj foli gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, duke deklaruar se kërkesat e protestuesve vijojnë të mbeten të parealizuara.

Vatnikaj akuzoi qeverinë për mungesë transparence dhe keqmenaxhim të fondeve publike, duke sjellë si shembuj situatën në infrastrukturë, shëndetësi, arsim dhe shërbimet publike, duke thënë se ndodhen në pikë të hallit.

Ajo u ndal edhe te situata me zjarret duke thënë se Shqipëria përballet me flakët prej ditësh, ndërsa shtoi se qeveria nuk ka para për emergjencat civile pasi i ka çuar paratë për të financuar koncertin e reperit Kanye West.

ajo ia kushtoi edhe situatës së krijuar nga zjarret në vend. Sipas saj, Shqipëria po përballet me rrezik për zonat e mbrojtura, ndërsa shteti nuk ka kapacitetet e nevojshme financiare për përballimin e emergjencave civile.

“Jemi këtu si çdo ditë për të kërkuar të njëjtat kërkesa sepse asnjëra prej tyre nuk është realizuar! Kjo qeveri që qeveris sot ka qenë e sinqertë vetëm një herë, atëherë kur premtoi se nuk do vidhte kaq haptazi si qeveritë e tjera, por as këtë premtim nuk e mbajtën. Shikoni tenderat e rrugëve, tunele pa hekur, spitale pa ilaçe, shkolla pa ngrohje, burgje me kushte skandaloze, të gjitha shërbimet publike janë në pikë të hallit.

Sot ndërkohë që Shqipëria është në zjarr dhe të gjitha zonat e mbrojtura rrezikohen prej zjarreve. Sot Shqipëria nuk mundet as t’i dalë zot tokës së vet sepse nuk ka buxhet të shtetit për emergjencat civile. Ajo i ka shkuar një këngëtari si Kanye Ëest pa transparencë publike. Kjo qeveri jo vetëm na ka vjedhur por na tall çdo ditë dhe nuk i merr seriozisht hallet tona, ndërsa buxheti i shtetit shkon për anti-mitingje dhe jo për atë që duhet të ishte sot, për emergjencat civile!”, tha aktivistja.

“Arrestoni Ramën dhe Ballukun” – I riu nga sheshi para Kryeministrisë: Pushteti s’është pronë, por përgjegjësi!

Një i ri që mori fjalën gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë kërkoi arrestimin e kryeministrit Edi Rama dhe ish vartëses së tij Belinda Balluku, duke bërë thirrje për një Shqipëri ku askush nuk qëndron mbi ligjin.

Në fjalën e tij, protestuesi deklaroi se qëllimi i tubimit nuk është mbështetja apo kundërshtimi i një partie politike, por kërkesa për më shumë përgjegjshmëri, transparencë dhe drejtësi.

“Arrestoni Ramën, arrestoni Ballukun. 73 ditë duke treguar jo cilën parti me urryer më shumë por se si me dashur Shqipërinë. Por dashuria për Shqipërinë nuk kallëzohet vetëm duke ndërruar emrat e njerëzve nëpër zyra, por kur ne të mos pranojmë më që pushteti të mos jetë mbi ne. Na duhet një Shqipëri kur ligji të mos ndryshojë sipas emrit.

Kryeministri, deputeti ta dinë mirë se pushteti nuk është pronë, por përgjegjësi që populli ia ka besuar. Ne kërkojmë institucione, duam transparencë për paratë tona, përgjegjësi kur pushteti gabon. Ne nuk kërkojmë të zëvendësojmë një të paprekshëm me një tjetër, por mos të ketë më të paprekshëm para ligjit. Ne kemi harruar se si qeveriset Shqipëria. Ne duam një Shqipëri të re. Jo vetëm me njerëz të rinj, por me njerëz të rinj në mendësi.”, tha ai.

“Vendi digjet, kryeministri krihet”, ish luftëtari i UÇK-së: Dorëheqja e shefit të zjarrfikësve, akuzë e rëndë për shtetin!

Ish-luftëtari i UÇK-së, Meçan Zotaj deklaroi se dorëheqja e shefit të Përgjithshëm të Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara ndërsa vendi përballet me zjarret, nuk është thjesht një dorëheqje, por një akuzë e rëndë ndaj shtetit.

“Dorëheqja e Arben Carës është një akuzë e rëndë ndaj shtetit, jo vetëm dorëheqje. Kur zjarrfikësit heronj përballen me flakët pa pajisjet elementare ndërsa fondet publike keqpërdoren, problemi është mungesë e shtetit dhe e përgjegjësisë.”, tha ai.

Më pas ai shtoi se ndërsa vendi përballet me zjarret, kryeministri krihet dhe bën propagandë. Ai iu bëri thirrje qytetarëve që të  vijojnë revoltën e tyre deri në largimin qeverisë së Edi Ramës.

“Shqipëria nuk ka nevojë për propagandë pas zjarreve, por përgjegjësi, hetim e ndëshkim për çdo abuzim të fondeve publike. Parku Kombëtar i Lurës, pyjet e Mallakastrës, Kruja e historisë sonë dhe anembanë trojet digjen ndërsa kryeministri krihet sepse ka vjedhur miliarda të shqiptarëve.

Taksat tona nuk shfrytëzohen si taksat e të gjithë qytetarëve evropianë. Ato mblidhen dhe kur Shqipëria digjet, kryehajduti krihet. Duhet të vazhdojmë. E kemi çjerrë maskën e pafytyrësisë të sociopatit. Është koha të rrëzojmë këtë qeveri kriminale!”, tha ai.

“Zjarrin e kësaj proteste s’do ta fikin dot!” – Aktivisti Edison Lika: Shtatori do t’i bëjë gati përfundimisht valixhet pushtetit të Edi Ramës!

Aktivisti Edison Lika shprehu bindjen se shtatori do të rikthejë në shesh mijëra qytetarë duke larguar përfundimisht kryeministrin Edi Rama.

Teksa mori fjalën në protestë, ai akuzoi se kanë tentuar që ta përçajnë me të gjitha format protestën qytetare, por nuk ia kanë arritur dot.

“Fillimi i shtatori nuk do të shënojë vetëm uljen e temperaturave por do të bëjë gati edhe valixhet përfundimisht ë pushtetit të Edi Ramë. Kanë bërë çdo gjë për ta fikur këtë protestë, ama kjo protestë ndezi zjarrin e shpresës së shqiptarëve. Këtë zjarr ata nuk e fikin dot.

Kanë tentuar çdo lloj përçarjeje, kanë tentuar të na ndajnë në çdo lloj grupimi ama ne jemi më të bashkuar se kurrë kundër këtij regjimi. Ne kemi ditur prej fillimi se ka shumë gjëra që na ndajnë njëjtë sikurse kemi ditur se janë shumë gjëra që na bashkojnë.”, tha Lika.

Më pas ai deklaroi se qeveria mund të jetë tërhequr nga projekti TID në Durrës pas kundërshtive të vazhdueshme të banorëve të zonës.

“Shembull i këtyre fitoreve ëashtë qëndresa që kanë bërë për Durrësin qytetarët kundër projektit TID. Ndaj pas shumë protestave, jo vetëm këtu, por edhe në Durrës, duket sikur qeveria është tërhequr nga projekti TID. Kjo është një fitore e të gjithë durrsakëve, e këtij sheshi dhe e të gjithë shqiptarëve.”, shtoi ai.

“Hajdutët në burg, jo në Evropë!” – Dita e 73-të e protestës, qytetarët ‘flasin’ me pankarta

Ndërsa sot zhvillohet protesta e 73-të kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, qytetarët kanë përcjellë edhe këtë herë mesazhet e tyre përmes pankartave.

Në fokus të protestuesve është bërë edhe roli i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), të cilës i kërkohet të veprojë ndaj zyrtarëve qeveritarë, të cilët protestuesit i akuzojnë për korrupsion dhe abuzim me zyrat e shtetit.

Përmes pankartave, qytetarët shprehen se ndëshkimi i zyrtarëve që, sipas tyre, kanë abuzuar me detyrën është i domosdoshëm, duke e lidhur këtë edhe me perspektivën evropiane të Shqipërisë.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu!

“Ndihem i turpëruar nga Kryeministri që na përfaqëson!” – Emigranti: Turpin duhet ta mbajnë edhe patronazhistët!

Një tjetër emigrant që po proteston në shesh deklaroi se ndihet i turpëruar nga kryeministri Edi Rama, i cili përfaqëson popullin shqiptar.

Ai deklaroi se turpin duhet ta mbajnë edhe patronazhistët, për të cilët tha se duke marrë disa para mendojnë se po realizojnë jetët e tyre. I pyetur se përse ka dalë në protestë, ai tha është ngritur kundër padrejtësive ndaj shqiptarëve.

“Në Shqipëri po bëhet një padrejtësi e madhe, sociale, ligjore dhe në të gjitha format. Në këtë vend, nuk ka mundësi tjetër për të jetuar përvecse ose të korruptohesh ose të ikësh jashtë shtetit.

Shteti duhet të japë alternativa. Më vjen shumë turp për kryeministrin tim kur shikoja që fliste. Ndihem i turpëruar që një kryeministër i tillë më përfaqëson mua dhe shqiptarët.

Kemi një 1001 shkaqe për protestuar. Turpin më të madh duhet ta mbajnë edhe patronazhistët që për 5 lekë mendojnë se realizuan jetën e tyre.”, tha ai.

“Po na shkelin me këmbë” – Emigranti nga Italia: Rrjolli është në grevë dhe askush nuk përgjigjet për të

Një emigrant nga Italia, i cili ka dalë në protestë, deklaroi se qeveria po i shkel qytetarët e saj me këmbë.

Ai përmendi rastin e banorëve të Rrjollit, të cilët protestojnë prej shumë kohësh kundër ndërtimit të një restorti në tokat e tyre, duke thënë se askush nuk përgjigjet për ta.

“Po na shkelin me këmbë. Ka 218 ditë që Rrjolli është në grevë dhe nuk përgjigjet kush për ta. Ne jemi në tokat tona.

Janë katragjyshërit tanë. Do të na largojnë edhe nipërit tanë nga vendi unë. Nuk do ta pranojmë kurrë. Të largohen nga tokat tona se do të kenë probleme. “, deklaroi emigranti.

“O dorëzohu, o rrëzohu!”/ 73 ditë protestë, qytetarët vijojnë qëndresën kundër qeverisë Rama

Prej 73 ditësh vijojnë protestat e “Revolucionit të Flamingove” kundër qeverisë së Edi Ramës.

Protestuesit janë rikthyer sërish në rrugë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre.

“Rama, jep dorëheqjen” është një nga thirrjet kryesore të protestuesve, ndërsa në protestë vijojnë të përsëriten mesazhet kundër qeverisë dhe mënyrës së qeverisjes.

Pas 73 ditësh, protestuesit shprehen se lëvizja do të vijojë, duke paralajmëruar se rezistenca do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Gjatë javës pritet edhe një shtim i numrit dhe masivizim i protestës pasi në vend do të vijnë shqiptarë nga diaspora.

Shqiptarët në mërgim kanë paralajmëruar protesta masive në datat 14, 15 dhe 16 gusht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat