“Një shtet pa drejtësi është grabitje” – Dita e 83-të, protestuesit paralajmërojnë përshkallëzim në shtator

Shqipëria

“Një shtet pa drejtësi është grabitje” – Dita e 83-të, protestuesit paralajmërojnë përshkallëzim në shtator

Më: 21 gusht 2026 Në ora: 08:24 Përditësuar në ora: 22:58 më 21.08.2026
Protesta në Tiranë

Dita e 83-të / Protestuesi paralajmëron përshkallëzim në shtator: Do të bllokojmë rrugët!

Një protestues nga sheshi “Skënderbej” ka paralajmëruar përshkallëzim të protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama gjatë muajit shtator. Ai tha se protestat, të cilat sipas tij vijojnë prej 83 ditësh, do të shoqërohen edhe me bllokime rrugësh.

Gjatë protestës së zhvilluar sot në sheshin “Skënderbej”, një qytetar deklaroi se aksioni opozitar dhe qytetar do të përshkallëzohet gjatë muajit shtator.

Protestuesi kritikoi ashpër deputetët e Kuvendit, duke i cilësuar si “plehra” dhe duke i akuzuar se e kanë çuar vendin në një situatë të rëndë.

Sipas tij, Shqipëria përballet me probleme të shumta në sektorë të rëndësishëm, ndërsa akuzoi pushtetin se merret me vjedhje dhe propagandë.

Ai paralajmëroi se situata pritet të ndryshojë në shtator, kur, sipas tij, në protesta do të bashkohen më shumë të rinj, studentë dhe qytetarë që aktualisht ndodhen me pushime, si dhe persona nga diaspora.

Protestuesi tha se aksioni do të vijojë me bllokimin e rrugëve, duke theksuar se qeveria nuk mund të largohet përmes protestave të qeta, të cilat i përshkroi me shprehjen “këngë e valle”.

“Do ta shpëtojmë atdheun nga këta plehra, që e kanë çuar në fund Shqipërinë. Nuk kemi shëndetësi, ushtri. Këtu nuk prodhohet një gozhdë, këtu vetëm vidhet dhe vetëm propagandë.

Në shtator do ta ketë të vështirë, do ta shikojë se kush është populli i vërtetë. Vjen rinia. Do të vijnë edhe nga diaspora.

Do t‘i bllokojmë rrugët të tëra. Do të ketë përshkallëzim për t’i përmbysur këto 137 deputetë. 3 mund të jetë pak të ndryshëm. 137 janë plehra”, tha ai.

Protestat kundër qeverisë vijojnë prej 83 ditësh, ndërsa deklarata e protestuesit sinjalizon një intensifikim të aksionit qytetar gjatë muajit shtator.

E reja letër të hapur Ramës: Pas një dekade, çfarë keni realizuar? Prezencën tënde s’e ndjejmë më! Jep dorëheqjen

Një vajzë e re iu drejtua me një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, duke i kujtuar atij premtimet që bëri kur erdhi në pushtet vite më parë.

Teksa mori fjalën në protestë, ajo theksoi se qytetarët e votuan duke menduar se ai ishte një risi, por premtimet i rezultuan boshe. Ajo shtoi se ndërsa ka kaluar më shumë se një dekadë nga ardhja në pushtet, ai nuk ka realizuar asgjë.

“Populli ju besoi të ndërtonit një jetë më të mirë, ju besoi se do të ishit një risi. Besoi në premtimet tuaja, por rezultuan boshe. Besoi në shpirtin e një artisti, por edhe kjo një mediokritet. Në 2013 premtuat një shtet me më shumë mundësi, drejtësi, punësim, më shumë më shumë…

Pas një dekade e kusur, na vjen natyrshëm një pyetje që nuk kërkon propagandë e as fjalim tjetër. Çfarë iu premtuat shqiptarëve dhe çfarë realizuat? Në 2017 premtuat shtetin e së drejtës. Por shteti i së drejtës nuk provohet kur ligji godet të dobëtit, por kur ligji ka forcën të përballet me të fortit. Nëse institucionet e drejtësisë nuk përgjigjen për ne, atëherë kush dreqin duhet të përgjigjet për ne”, tha mes të tjerash e reja.

Më pas ajo theksoi se qytetarët nuk e ndjejnë më prezencën e tij si kryeministër dhe se nuk ndihen të përfaqësuar ndaj duhet ta pranojë kërkesën e tyre dhe të japë dorëheqjen sa më parë.

Protestuesit përcjellin mesazhe të forta me pankarta: Përgjegjësia ka një emër! Një shtet pa drejtësi është grabitje

Protestuesit, të mbledhur për të 83-tën ditë përpara Kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës, kanë “folur” sërish përmes pankartave.

“Rama out”, thuhet në një pankartë, duke nënkuptuar largimin e Ramës.

Në një tjetër theksohet se dorëheqja ka emër, referuar kryeministrit.

“Një shtet pa drejtësi është grabitje”, thuhet në një tjetër teksa qytetarët kërkojnë nga drejtësia që të hetojë Ramën dhe të tjerët.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu!

“Shkrirja e bashkive është shpopullim, s’do të ketë më Shqipëri” – Biznesmeni Erlind Xhindi thirrje SPAK: Vepro! Ke mbështetjen tonë

Biznesmeni Erlind Xhindi iu bëri thirrje protestuesve që të qëndrojnë të bashkuar kundër qeverisë së Edi Ramës.

Teksa mori fjalën para protestuesve, ai bëri një thirrje edhe për SPAK, duke i thënë se duhet të veprojë kundër pushtetarëve.

Sa i përket propozimit të PS-së për shkrirjen e bashkive, ai tha se nuk bëhet fjalë për shkrirje bashkish, por shpopullim të vendit.

“Sot e them me plot gojën partia e shqiptarëve është vetëm një, shqiptaria. Nuk ka asnjë parti shqiptare sot. Ky kryelegeni që i thotë vetes kryeministër, mendon si një moçalar se do të thahet protesta. Ju bëj thirrje të gjitha bashkive që rrezikojnë të shkrihen. O zotërinj, zonja, vëllezër e motra, nuk është shkrirje, por shpopullim. Është çështja e flamurit, e Shqipërisë.

O SPAK ku je? Kë ke arrestuar? Ata që arreston SPAK janë ata që nuk ndajnë paratë. SPAK thirrje vetëm për ty. Reago. Ke në tavolinë kartën e turpit dhe të nderit. Zgjidh kartën e nderit se ke mbështetjen tonë.”, tha ai.

Lika: Nuk largohemi nga sheshi pa dorëheqje! Do ta lëshojë Ballukun në shtator, por ne s’mjaftohemi me kaq

Aktivisti Edison Lika theksoi se nuk do të largohen nga sheshi përpara Kryeministrisë derisa Edi Rama të japë dorëheqjen.

Teksa mori fjalën në protestë, aktivisti i bëri thirrje SPAK që të nisë hetimet ndaj kryeministrit dhe ta arrestojë.

Sipas tij, kryeministri do ta lëshojë Belinda Ballukun në shtator, por ai tha se protestuesit nuk mjaftohen me kaq, pasi ata kërkojnë dorëheqjen e të gjithë kabinetit të tij qeveritar.

“Nuk na ka zënë monotonia, sepse po bëjmë histori. Ne nuk jemi të qetë pas 83 ditësh se jemi të revoltuar si ditën e parë. Nuk largohemi nga sheshi për sa kohë është kryeministri i këtij vendi. E kemi kërkuar prej ditësh së parë dhe do ta kërkojmë deri në ditën e fundit, dorëheqje.

Hetoni Ramën. Rama e ka vendin në qelitë e 313-ës. Ka bërë gati ta lëshojë Belinda Ballukun në shtator, po a mjaftoheni ne me kaq. Jo. Ne do të jemi këtu jo vetëm që të dorëhiqet dhe të heqë dorë nga mandati Balluku, por do të jemi derisa të dorëhiqet e gjithë qeveria me në krye Edi Ramën.”, tha ai.

83-ta protestë/ Nis marshimi drejt Kryeministrisë, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë

Ka nisur marshimi i protestuesve në rrugën e bulevardit "Dëshmorët e Kombit", në kuadër të protestës së 83-të kundër qeverisë së Edi Ramës.

Qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ndërsa tashmë kanë nisur marshimin në drejtim të Kryeministrisë, duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e qeverisë.

Me pankarta dhe slogane në duar, protestuesit shprehin kundërshtimin ndaj qeverisjes dhe kërkojnë ndryshim politik.

Marshimi pritet të vijojë drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të mbahen edhe fjalime nga protestuesit dhe përfaqësuesit e organizimit.

Sot dita e 83-të e revoltës/ Për rreth 3 muaj qytetaret dalin në shesh!

Vijon edhe sot protesta qytetare në Tiranë, e cila ka hyrë në ditën e 83-të. Si çdo ditë, qytetarë të shumtë pritet të mblidhen në shesh, përpara se të marshojnë drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në drejtim të Kryeministrisë.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga protesta deri në realizimin e kësaj kërkese.

Një tjetër kërkesë e protestuesve është krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor, e cila do të kishte si mision përgatitjen e vendit për zhvillimin e zgjedhjeve të reja.

Qytetarët kërkojnë gjithashtu anulimin e disa ligjeve, të cilat sipas tyre prekin drejtpërdrejt interesat e qytetarëve.

Protestat kanë vijuar për gati tre muaj pa ndërprerje, ndërsa pjesëmarrësit shprehen të vendosur për të vijuar tubimet edhe në ditët në vijim.

“Nuk do të tërhiqemi deri në dorëheqjen e Edi Ramës”, është mesazhi që përcillet çdo ditë nga qytetarët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat