Qytetarët do të mblidhen sërish sot në sheshin përpara Kryeministrisë, ndërsa shënohet dita e 102-të e revoltës kundër qeverisë së Edi Ramës.
Ata kërkojnë prej më shumë se tre muajsh që kryeministri Rama të japë dorëheqjen, por po ashtu edhe i gjithë kabineti i tij qeveritar.
Një ditë më parë, ata u mblodhën edhe para Parlamentit, ndërsa deputetët u rikthyen në seancë plenare për sesionin e ri të kësaj legjislature.
Sikurse kishin paralajmëruar, ata i “pritën” deputetët me vezë dhe domate. Gjatë protestës, pati edhe tensione mes tyre dhe Policisë, që kishte bllokuar të gjithë rrugën kryesore përpara godinës së parlamentit.
Protestuesit i akuzojnë deputetët si përfaqësues të krimit dhe jo si të popullit, që nuk kanë bërë asgjë për ta ndër vite.
Qytetarët shprehen të vendosur se nuk do të largohen nga sheshi përpara Kryeministrisë dhe përpara parlamentit derisa qeveria të largohet, dhe t’i hapet rruga një qeverie tranzitore për të shkuar më pas në zgjedhje.