Vaksinimi kundër virusit HPV vijon në të gjithë Shqipërinë, tashmë me vaksinën e re 9-valente, e cila ofrohet për vajzat dhe djemtë 13-vjeçarë, në përputhje me Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, vaksina 9-valente zgjeron mbrojtjen ndaj tipeve të virusit HPV që lidhen me kancerin e qafës së mitrës, si edhe me sëmundje të tjera të shkaktuara nga ky virus.
Vaksinimi në moshën e rekomanduar synon të forcojë mbrojtjen shëndetësore të brezave të rinj dhe të ulë në të ardhmen rrezikun e sëmundjeve të lidhura me infeksionin HPV.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thekson rëndësinë e imunizimit në kohën e përcaktuar nga programi kombëtar, duke e konsideruar vaksinimin një masë të rëndësishme parandaluese për shëndetin e fëmijëve dhe adoleshentëve.