Studentë dhe protestues, në ditën e 13-të të protestës në Tiranë, sapo kanë arritur para Kryeministrisë, kanë grumbulluar dhe djegur karriget e vendosura nga kryeministri Edi Rama si ftesë për dialog.
Fillimisht, protesta nisi e qetë ndërsa forcat e rendit kishin krijuar një perimetër sigurie rreth zonës dhe ndodhen në gatishmëri të lartë për të garantuar sigurinë.
Gjithashtu, pranë institucionit janë pozicionuar edhe autobotët e ujit të policisë.
Disa të rinj të maskuar nisën të godasin me gurë drejt Ministrisë së Arsimit, por kanë ndaluar shpejt. Pas kësaj, të rinjtë nisën marshimin drejt kryqëzimit me sheshin “Skënderbej” e më pas drejt bulevardit për t’iu drejtuar Kryeministrisë.
Disa të rinj debatuan me policët e vendosur në kordon sigurie para Kryeministrisë. Disa protestues u panë të veshur me bluza me mbishkrimin “Të gjithë jemi Erion”, në shenjë solidarizimi për të riun që u plagos dje në protestë, dyshohet me plumb gome në sy.
Të rinjtë dhe studentët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kanë refuzuar çdo ftesë për dialog nga ana e Kryeministrit. Nga ana tjetër, kreu i Qeverisë prezantoi sot paketën e re ligjore që parashikon gjoba dhe masa më të ashpra ndaj pjesëmarrësve në protesta të dhunshme.