Komisioni Evropian thotë se po e vlerëson ligjin e ri për Bankën e Shqipërisë në kuadër të negociatave për Kapitullin 17. Ligji i jep guvernatorit mbrojtje të posaçme nga arrestimi.
Në një përgjigje për A2CNN, KE kujtoi se guvernatorët e bankave qendrore në vendet anëtare gëzojnë privilegjet dhe imunitetet e Protokollit 7 të BE-së për veprimet në detyrë. Sipas Komisionit, neni 72 i ligjit do të zbatohet në përputhje me këtë protokoll nga momenti kur Shqipëria të bëhet anëtare.
Neni 72 parashikon që guvernatori, aktualisht Gent Sejko, nuk mund të arrestohet dhe nuk mund t’i kontrollohen as personi e as banesa pa autorizim paraprak të Kuvendit, kur rasti lidhet me detyrën. Ligji nuk e përjashton guvernatorin nga hetimi apo përgjegjësia penale. Ai vendos një procedurë autorizimi përpara masave shtrënguese.
Drafti i korrikut ia jepte këtë rol Gjykatës Kushtetuese. Në versionin përfundimtar ky rol i kaloi Kuvendit, ndryshim që ekspertë të cituar nga Reporter.al e quajnë “filtër parlamentar”. Juristë dhe ekonomistë kanë ngritur pikëpyetje nëse kjo përputhet me Kushtetutën dhe me barazinë para ligjit.
Ligjin e votuan më 29 tetor shumica socialiste dhe PSD-ja, në një seancë të tensionuar ku opozita ndezi tymuese dhe flakadanë. Nga PS-ja, Balla deklaroi se guvernatori do të gëzojë të njëjtat të drejta si homologët e tij në BE. Ai shtoi se ligji ka marrë “dritën jeshile” nga KE.
Përgjigjja e Komisionit është më e kujdesshme. Ajo nuk e miraton dhe as nuk e dënon zgjidhjen shqiptare, por e lidh standardin evropian me datën e anëtarësimit. Kreu i PD-së, Sali Berisha, e ka quajtur ligjin mbrojtje që shumica e ka bërë për vete