Tiranë – Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar procedim penal mbi bazën e kallëzimit që një grup ekspertësh dhe protestuesish depozituan në gusht ndaj kryeministrit Edi Rama, funksionarëve të tjerë publikë dhe subjekteve private të përfshira në projektet turistike në Zvërnec, Rrjoll dhe Divjakë-Karavasta.
Lajmi u bë publik të shtunën, në të njëjtën ditë kur protesta e studentëve kundër qeverisë u përshkallëzua sërish në rrugët e kryeqytetit.
Sipas portalit Citizens.al, në një shkresë të datës 6 nëntor, të nënshkruar nga drejtuesi i SPAK-ut, Klodjan Braho, prokuroria u ka konfirmuar kallëzuesve se procedimi penal me numër 97 është regjistruar më 10 shtator dhe ndodhet në fazën e hetimit.
Megjithatë, sipas burimeve të cituara nga Balkanweb, procedimi është regjistruar për disa vepra penale, por deri tani asnjë person nuk figuron zyrtarisht si i dyshuar apo nën hetim. Deri në mbyllje të këtij artikulli nuk kishte asnjë reagim nga kryeministri Rama apo nga qeveria.
Tre projektet në fokus
Kallëzimi kërkon hetim për shpërdorim detyre, ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë, korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë dhe grup të strukturuar kriminal. Sipas kallëzuesve, në të tre rastet përsëritet e njëjta skemë: fillimisht ndryshohet ligji, pastaj miratohet një instrument i posaçëm planifikimi dhe në fund leja jepet nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), që drejtohet nga kryeministri.
Në rastin e Baks-Rrjollit, kallëzimi i referohet një vendimi të KKT-së të dhjetorit 2024, me firmën e Ramës dhe të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, që miratoi rregulloren e veçantë për resortin "Blue Borgo". Për Divjakë-Karavastën bëhet fjalë për masterplanin "Kingscoast", një qytet i ri brenda parkut kombëtar. Në Zvërnec, projekti zhvillohet sot nga një kompani e regjistruar përmes një trusti në Holandë, me pronarë realë të panjohur publikisht.
Kallëzimi mbështetet kryesisht në hulumtimet "The Albanian Files" dhe "Dosjet e KKT-së", një bazë të dhënash me 252 vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit. Nismëtarja e kallëzimit, arkitektja Entela Spahivogli, pret që SPAK t'i shqyrtojë projektet një nga një, duke nisur nga "ai që firmos, kryetari i KKT-së, që është Kryeministri". Kallëzuesit i kërkojnë prokurorisë të mos kufizohet te këto tre raste, por të hetojë çdo projekt ku janë përdorur të njëjtat mekanizma.
Molotovë dhe ujë me presion para Kryeministrisë
Ndërkohë, studentët zhvilluan të shtunën protestën e radhës kombëtare, të nisur në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit. Kjo ishte protesta e parë sipas kalendarit të ri, me dy tubime kombëtare në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë.
Dy orë më herët, Partia Demokratike kishte mbajtur tubimin e saj para Kryeministrisë, pas thirrjes së kryetarit Sali Berisha. Mbështetësit e PD-së marshuan më pas drejt Ministrisë së Arsimit, por studentët kundërshtuan bashkimin e tyre, duke theksuar se protesta e tyre është e pavarur nga partitë. Pas disa minutash tensionesh verbale, situata u qetësua.
Para Ministrisë së Arsimit, protestuesit dogjën kosha mbeturinash dhe hodhën gurë, ndërsa policia përdori ujë me presion dhe spraj lotsjellës. Më pas, një pjesë e protestuesve marshoi drejt Kryeministrisë, me thirrje për dorëheqjen dhe arrestimin e Ramës, por edhe kundër Partisë Demokratike.
Në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", të rinj të maskuar shkulën pllaka trotuari dhe i hodhën drejt efektivëve, bashkë me molotovë dhe fishekzjarre. Policia, me rreth 1.200 efektivë në gatishmëri, u përgjigj me autobotë uji dhe gaz lotsjellës dhe i shpërndau protestuesit drejt Parkut Rinia dhe Sheshit Skënderbej.
Gjatë ditës u shoqëruan disa persona, përfshirë edhe pranë selisë së PD-së, ndërsa policia njoftoi se po kërkon personat e maskuar që kryen akte dhune. Deri në mbrëmje nuk kishte të dhëna të konfirmuara për të lënduar.
Rama ofron dialog, studentët kërkojnë dorëheqje
Kryeministri Rama përsëriti të shtunën ftesën për dialog me studentët dhe kohët e fundit ka hapur edhe një platformë online për komunikim me ta. Studentët e refuzojnë ftesën dhe thonë se kërkesa e tyre për dorëheqjen e kryeministrit nuk negociohet.
Protestat e nisura në mes të tetorit janë shoqëruar me përplasje të shpeshta me policinë. Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka bërë të ditur se vetëm në dy javët e para u lënduan 347 persona, mes tyre protestues, efektivë dhe kalimtarë.
Në fund të tetorit, qeveria miratoi një paketë masash që i jep policisë kompetenca të reja për të kufizuar tubimet pranë institucioneve dhe parashikon gjoba deri në 500 mijë lekë. Vetëm nga 3 deri më 6 nëntor, policia vendosi 95 gjoba ndaj protestuesve për bllokim rruge. Grupimet studentore e kanë çuar paketën në Gjykatën Kushtetuese, e cila ende nuk ka vendosur.