Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar sërish krijimin e një qeverie teknike ose kujdestare. Sipas tij, vetëm një qeveri e tillë mund të përgatisë kuadrin ligjor dhe kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri.
Berisha foli të shtunën në një konferencë për mediat në selinë e PD-së në Tiranë, ditën e protestës kombëtare kundër qeverisë Rama. Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe forcave opozitare të bashkohen në mbështetje të lëvizjes studentore, pavarësisht mosmarrëveshjeve mes tyre. Sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), ai tha se PD-ja është e vendosur ta mbështesë plotësisht revoltën e studentëve.
Në një deklaratë tjetër po atë ditë, Berisha kërkoi lirimin e menjëhershëm të studentëve dhe qytetarëve që ishin ende të ndaluar në komisariate. Aktet e qeverisë që synonin ta ndalonin protestën i quajti antikushtetuese dhe tha se PD-ja nuk do të respektojë asnjë akt në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Për gjobat ndaj protestuesve, ai tha se do t’u kthehen atyre që i vendosën, “me vlerë tri herë më të lartë”. Punonjësit që i firmosin gjobat i paralajmëroi për ndjekje penale. Policinë e akuzoi se kishte provokuar vazhdimisht protestuesit.
Megjithatë, studentët kanë treguar qartë se nuk duan që protesta e tyre të identifikohet me opozitën. Më 7 nëntor, para Ministrisë së Arsimit, protestuesit e rinj krijuan një vijë ndarëse me parullën “Rama në burg, Berisha në burg”, sipas portalit Ma Shqip. Përfaqësuesit dhe mbështetësit e PD-së u kërkuan të largohen. Debati mes dy grupeve shkoi deri në përplasje fizike. Berishë nuk ishte i pranishëm. Edhe një javë më parë, më 31 tetor, studentët kishin formuar kordon njerëzor për ta mbajtur larg grupin e deputetëve opozitarë.
Protesta e së shtunës u përshkallëzua më pas me molotovë, gurë e fishekzjarrë ndaj policisë para Kryeministrisë. Policia përdori ujë me presion, gaz lotsjellës dhe sprai me piper. Sipas Euronews Albania, pas rreth katër orësh disa protestues u shoqëruan pranë selisë së PD-së, ndërsa policia po kërkonte personat me maska që kryen akte dhune. Bilanci zyrtar i të shoqëruarve deri në këtë orë nuk dihet.
Kryeministri Edi Rama i ka ftuar disa herë studentët në dialog, duke e ndarë protestën nga dhuna. Studentët kanë njoftuar se do të protestojnë dy herë në javë.