Malaj: Rishpërndarja e të ardhurave parimi i Paketës Fiskale 2027

Shqipëria

Malaj: Rishpërndarja e të ardhurave parimi i Paketës Fiskale 2027

Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 16:09
Petrit Malaj

Ministri i Financave, Petrit Malaj gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2027 në Kuvend tha se “Paketa Fiskale 2027 përbëhet nga pesë projektligje dhe parashikon një sërë ndryshimesh në sistemin tatimor, me synim rishpërndarjen e të ardhurave, forcimin e barazisë fiskale dhe përmirësimin e efikasitetit të administrimit tatimor”.

Malaj theksoi se paketa synon lehtësimin e barrës fiskale për individët me të ardhura të ulëta dhe shtresën e mesme, si dhe mbrojtjen e fuqisë së tyre blerëse.

Pesë projektligjet që përbëjnë Paketën Fiskale lidhen me ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore, tatimin mbi të ardhurat, taksat kombëtare, akcizat dhe tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH).

Ministri Malaj u shpreh se “ndër ndryshimet kryesore të propozuara është rritja e normës së tatimit mbi dividentin nga 8% në 15%, si dhe rishikimi i strukturës progresive të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, me synim lehtësimin e barrës për shtresën e mesme dhe forcimin e progresivitetit për individët me të ardhura më të larta”.

Një tjetër masë, vijoi Malaj, parashikon aplikimin e normës së reduktuar të TVSH-së prej 6% për 54 produkte të shportës bazë, ndërsa norma standarde e TVSH-së propozohet të rritet nga 20% në 21%.

Gjithashtu, shtoi Malaj, pragu i regjistrimit në TVSH do të ulet nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë.

“Paketa fiskale parashikon edhe zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga karburantet te taksa vjetore e automjeteve, si dhe vijimin e kalendarit të rritjes së akcizave për produktet e duhanit, në kuadër të përafrimit me direktivat e Bashkimit Europian”, theksoi Malaj.

Më tej Malaj vuri në dukje se “ndryshimet e propozuara do të jenë me efekt neutral, pasi parimi mbi të cilin bazohet kjo Pakete Fiskale është rishpërndarja e të ardhurave, duke siguruar mbrojtjen e kategorive më në nevojë dhe shtresës së mesme. Ndaj, Paketa Fiskale është konceptuar mbi tre parime kryesore: Rishpërndarja e të ardhurave, barazia fiskale dhe përmirësimi i efikasitetit të sistemit tatimor. Në këtë kuadër janë propozuar ndryshime në: tatimin mbi dividendin, tatimin mbi të ardhurat personale, TVSH-në, vijimin e kalendarit të harmonizimit të akcizave me kërkesë të BE, si dhe zhvendosjen e takës së qarkullimit nga karburanti te taksat vjetore të mjeteve”.

“Ndryshimet e propozuara nuk janë kundër biznesit, e aq më pak kundër qytetarëve shqiptarë. Përkundrazi, janë masa që shkojnë në favor të një ekonomie më të balancuar dhe më të drejtë”, u shpreh Malaj.

Ministri Malaj ftoi deputetët të mbështesin në parim Projektbuxhetin dhe Paketën Fiskale 2027, duke theksuar se drejtësia sociale dhe qëndrueshmëria fiskale janë kushte për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat