Ditën e sotme priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarkun e Vlorës, ndërsa në qarqet Berat, Korçë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive.
Në qarqet Elbasan dhe Fier priten reshje mesatare, të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në pjesën tjetër të vendit reshjet do të jenë të dobëta deri lokalisht mesatare.
Në verilindje, lindje dhe juglindje të vendit, në lartësitë mbi 500 metra nga niveli i detit, reshjet do të jenë në formën e dëborës.
Shqetësimi më i madh mbetet situata në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër, ku intensiteti i lartë i reshjeve mund të shkaktojë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane të këtyre dy qarqeve mund të shfaqen edhe përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
Reshjet pritet të sjellin gjithashtu rritje të prurjeve në lumenjtë Shkumbin, Seman dhe Vjosë.
Sa u përket temperaturave, ato pritet të luhaten nga 10 deri në 14 gradë Celsius në bregdet, nga 8 deri në 14 gradë në zonat e ulëta dhe nga 2 deri në 10 gradë në zonat malore.
Era do të fryjë me intensitet të lehtë deri mesatar, ndërsa në bregdet dhe në zonat malore pritet të jetë deri e fortë.