Historia e peshkimit

Sporti

Historia e peshkimit

Nga: Veli Kajtazi Më: 23 prill 2021 Në ora: 17:22
Veli Kajtazi

Kush e përdori grepin e metaltë i pari?

Të dhënat më të hershme për peshkimin datojnë që nga koha e paleolitit të hershëm, kohën kur është paraqitur edhe njeriu. Që nga kjo kohë krahas zhvillimit të njeriut, dëshmive për zhvillimin e njeriut, janë gjetur edhe eksponate të ndryshme të mjeteve të peshkimit (grepat e rrafshët nga guri, grepat nga ashti, druri, etj).

Në kohën e gurit, që në Evropë ka zgjatur prej vitit 10.000 deri në vitin 3000 para erës së re, peshkimi ka qenë i zhvilluar njëjte me gjuetinë e kafshëve. Në atë kohë paraqiten grepat e parë të mbështjellë dhe rrjetat, ndërsa përdorimi i barkave ju mundësoi peshkimin larg brigjeve.
Në kohën e paraqitjes së metaleve, veglat e peshkatarisë marrin formë që e kanë ruajtur deri sot. Janë këta grepat e metaltë me grremç (kërrabëz), që ilirët i përdorën të parët.

Se peshkataria sportive daton shumë herët tregon e dhëna se në kohët e perandorisë romake janë ndarë njerëzit që peshkojnë me grep për të ushqyer familjen nga ata që peshkimin e konsideronin si dëfrim (këta ishin peshkatarët sportivë).

Dihet, gjithashtu se me peshkatari sportive janë marrë vetëm njerëzit me autoritet të madh, njerëz në pozitë sikurse edhe imperatorët e Romës si Augusti dhe Trojani.

Skenat e para të peshkimit me shkop janë paraqitur 2000 vjet para Krishtit në Egjipt, ndërsa në Kinë në shekullin IV para Krishtit është përdorur shkopi i bambusë, peri i mëndafshet, grepat nga gjilpërat e kthyera, që për karrem kanë përdorur orizin e zier.

Pjesë nga libri im "Peshqit dhe peshkataria sportive në Kosovë". Shkrimi u morë nga facebooku i Veli Kajtazit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat