Nuk ka dhënë fitues derbi i xhiros së nëntë në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Të dielën në Gjakovë, Shqiponja e Istogu barazuan 29:29. Istogu kishte epërsi prej një goli pas pjesës së parë, 16:15. Në fakt e dominoi pjesën e parë dhe krijoi dy herë epërsi prej pesë golash.
Skuadra mysafire në pjesën e dytë u shkëput sërish, 19:16, por Shqiponja reagoi për 21:20. Sërish Istogu krijoi avantazh prej tre golash (25:22, 26:23, 27:24).
Megjithatë fundi ishte dramatik. Në minutën e 59-të, Istogu shënoi për 29:27. Ana Carolini Gonçalves ngushtoi rezultatin në 29:28 në minutën e fundit, kurse krejt në fund Adelina Berisha realizoi për barazim të rezultatit në 29:29.
Celina Tolno Sia dhe Alma Nivokazi i shënuan nga dhjetë gola për Shqiponjën. Mayseem Azri i shënoi 12 gola për Istogun. Shtatë i kishte Farida Mabrouk e gjashtë Elsa Shala.
Istogu e përfundoi stinorin vjeshtor me 11 pikë në vendin e dytë. 11 pikë i ka edhe Shqiponja në vendin e tretë.
E para pas stinorit vjeshtor është Samadrexha. Kampionia aktuale i ka fituar shtatë ndeshjet. Të dielën fitoi 48:20 ndaj Besës së Pejës.
Arona Krasniqi i shënoi dhjetë gola për Samadrexhën. Te Besa më efikasja ishte Edona Radoniqi me gjashtë realizime.
Besa është e pesta me gjashtë pikë.