Aliti: Sporti mbetet promovuesi më i mirë i shtetit tonë në arenën ndërkombëtare 

Sporti

Aliti: Sporti mbetet promovuesi më i mirë i shtetit tonë në arenën ndërkombëtare 

Nga: Kemajl Goca Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 13:30
Aliti: Sporti mbetet promovuesi më i mirë i shtetit tonë në arenën ndërkombëtare 

Zyrtarët e Komitetit Olimpik të Kosovës tash e disa ditë gjenden në Lojërat Olimpike Dimërore – Pekini 2022. 

Ata nga afër përcjellin aktivitetet e dy sportistëve tanë, skiatorit Albin Tahiri dhe skiatores Kiana Kryeziu.

Besim Aliti, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, tregon se si trajtohet Kosova si shtet nga Kina, për atmosferën, kushtet, ka ndonjë pengesë nga mikpritësi. Po ashtu flet edhe për kategorizimin e federatave sportive, ka ndonjë ankesë, do të ketë ndryshim të rregullores dhe a do të veprohet ndaj federatave që nuk kanë aktivitete apo janë fantome.

Image

“Bota sot”:  Tash e sa ditë në Pekin, si është atmosfera dhe si trajtohet Kosova në një vend të që nuk e njeh Kosovën shtet?

 Besim Aliti: Kosova trajtohet e barabarte me të gjitha shtetet tjera. Pavarësisht se Kina nuk e njeh shtetin tonë, simbolet tona shtetërore janë të pranishme si në Fshatin Olimpik, ashtu edhe në të gjitha garat ku në kemi sportistë. Flamuri ynë valoi edhe në ceremoninë hapëse, ku të pranishëm ishin si Presidenti i Kinës, ashtu edhe Presidentë të shumë shteteve botërore. Kjo tregon edhe një herë se sporti mbetet promovuesi më i mirë i shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.

“Bota sot”:  I keni të gjitha parakushtet, a keni ndonjë pengesë dhe cila është risia si KOK në Pekin?

Besim Aliti: Jo nuk kemi asnjë pengesë, përkundrazi mikpritja është tejet e ngrohtë. Risia është vetë pjesëmarrja jonë me dy sportistë, numër ky i rritur nga Olimpiada e kaluar PyeongChang 2018 dhe trajtimi i barabartë nga shteti i Kinës.

“Bota sot”: Keni pasur disa takime, ka ndonjë lajm të mirë për sportin e Kosovës?

Image

Besim Aliti: Bashkë me Presidentin Ismet Krasniqi kemi takime të vazhdueshme me drejtuesit me të lartë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, te ANOC-ut, EOC-t dhe Komiteteve Olimpike Kombëtare, etj. me të cilët kemi krijuar marrëdhënie shumë të mira dhe të cilët na përgëzojnë për punën dhe pjesëmarrjen tonë në LOD Pekini 2022, ku siç dihet 104 shtete nuk kane arritur të kenë fare sportistë të kualifikuar.

“Bota sot”: Ditëve të fundit u bë shumë zhurmë për kategorizimin e sporteve. A mendoni se duhet të ketë përmirësime në renditje apo gjithçka është ashtu si duhet?

Besim Aliti: Jo nuk mendoj se është bërë shumë zhurmë, madje zyrtarisht asnjë federatë nuk ka bërë ndonjë reagim zyrtar në faqet e tyre. Kjo e dëshmon edhe në afatin e ankesave ku kemi vetëm katër federata te cilat kanë parashtruar ankesa tek komisioni i ankesave. Unë konsideroj se komisioni ka bërë punë shumë të mirë dhe të gjitha vendimet i ka marrë bazuar në dëshmitë e sjella nga federatat dhe Nenet të cilat i përcakton Rregullorja për Kategorizimin e Sporteve, Sportistëve dhe Trajnerëve.

“Bota sot”: A do të ndryshohen rregullorja për kategorizimin e sportit për vitin e ardhshëm?

Besim Aliti: Komisioni gjatë punës që ka bërë ka vërejtur se rregullorja ka nevoje për përmirësime në disa pika. KOK do t'i rekomandoje Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport që bashkërisht të ulemi të dyja palët dhe t'i bëjmë plotësim ndryshimet në ato pika ku e shohim se ka nevojë. 

“Bota sot”: Duket se disa federata që nuk kanë aktivitete apo si fantome, do të hiqen nga lista e KOK-ut, cilat janë ato?

Besim Aliti: Për federatat të cilat nuk kanë aktivitete do të vendoset në njerën nga mbledhjet e ardhshme të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, dhe Bordi do të dalë me një rekomandim për Asamblenë Vjetore te Punës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat