Motër e vëlla me prejardhje nga Kuba synojnë Olimpiadën me Kosovën! Flet babai i sportistëve

Sporti

Motër e vëlla me prejardhje nga Kuba synojnë Olimpiadën me Kosovën! Flet babai i sportistëve

Nga: K.G. Më: 25 tetor 2026 Në ora: 13:55
Emily dhe Brayan Ibanez Guerrero, kanë shkruar histori për Kosovën në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për juniorë dhe grupmoshën U-23

Motër e vëlla, peshëngritës me prejardhje nga Kuba, Emily dhe Brayan Ibanez Guerrero, kanë shkruar histori për Kosovën në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për juniorë dhe grupmoshën U-23, duke rritur shpresat për përfaqësimin e vendit në Lojërat Olimpike të vitit 2028.

Emily Ibanez Guerrero, 15-vjeçare, u shpall kampione e Evropës për juniore në kategorinë deri në 69 kilogramë, me një total prej 231 kilogramësh të ngritur.

Ajo vendosi tri rekorde botërore për të rinj në këtë kategori, duke u dalluar me paraqitjen e saj në garën e zhvilluar në Durrës të Shqipërisë.

Vëllai i saj, Brayan Ibanez Guerrero, 20 vjeç, fitoi medaljen e argjendtë evropiane për juniorë në kategorinë deri në 85 kilogramë, me një total prej 346 kilogramësh. Ai gjithashtu vendosi rekord evropian për juniorë në stilin e shkëputjes.

Të dy sportistët përfaqësojnë Kosovën, ndërsa synimi i tyre është të kualifikohen për Lojërat Olimpike të vitit 2028.

Babai i tyre: Kosova na ka mirëpritur

Ciro Ibanez, babai dhe njëri nga trajnerët e dy sportistëve, ka treguar se familja e tij ka kaluar një periudhë të gjatë pasigurie për të ardhmen sportive, përpara se të gjente mbështetje në Kosovë.

“Për një kohë të gjatë kemi qenë në një situatë të paqartë, deri kur erdhi Kosova”, deklaroi Ciro Ibanez.
Emily dhe Brayan janë rritur në Kanada, ku garuan edhe në vitin 2023, ndërsa më pas familja shpresoi që ata të përfaqësonin Spanjën, vendin e origjinës së nënës së tyre, Abigail Guerrero.

Planet nuk u realizuan, por këtë vit Kosova u hapi dyert dhe u dha mundësinë të vazhdonin karrierën sportive nën flamurin e saj.

“Kosova u ka ofruar Emilyt dhe Brayanit të gjitha kushtet e mundshme për të pasur sukses në nivel botëror. Ata po na ndihmojnë dhe ne duam t'i ndihmojmë edhe ne”, tha Ciro Ibanez.

Ai vlerësoi edhe punën e Astrit Hasanit, presidentit të Federatës së Peshëngritjes së Kosovës dhe të Federatës Evropiane të Peshëngritjes, i cili synon zhvillimin e mëtejshëm të këtij sporti në vend.
Synimi: Lojërat Olimpike 2028

Emily dhe Brayan po përgatiten për garat kualifikuese që do t'u hapin rrugën drejt Lojërave Olimpike të vitit 2028. Sipas deklaratave të babait të tyre, ata do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror në Kinë dhe në garën kualifikuese të Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes në Katar.

Deri atëherë, sportistët do të vazhdojnë përgatitjet në kampe stërvitore në Kosovë, Shqipëri dhe Turqi.

Ciro Ibanez ka mohuar gjithashtu pretendimet se familja ka marrë oferta të mëdha financiare për të përfaqësuar Kosovën.

“Vazhdoj të dëgjoj njerëz që thonë se janë përfshirë shumë para, por kjo nuk është e vërtetë. Kosova nuk na ka ofruar para dhe ne nuk jemi paguar nga qeveria”, theksoi ai.

Ai bëri të ditur se familja planifikon të zhvendoset në Kosovë në janar dhe se tashmë ka gjetur një vendbanim në Prishtinë.

“Jemi në kampe stërvitore deri në garën në Katar. Udhëtojmë në qendra të ndryshme stërvitore, si në Turqi dhe Shqipëri, por edhe në Kosovë. Në janar planifikojmë të zhvendosemi në Kosovë dhe kemi gjetur një vendbanim në Prishtinë.

Kosova po sillet shumë mirë me ne dhe na ka mirëpritur. Jemi të lumtur që flamurin e Kosovës ta çojmë në mbarë botën”, përfundoi Ciro Ibanez.

Paraqitjet e Emilyt dhe Brayanit kanë krijuar pritshmëri për të ardhmen e peshëngritjes kosovare. Tashmë, sfida e radhës për dy sportistët është të vazhdojnë përgatitjet dhe të sigurojnë rezultatet e nevojshme për të synuar pjesëmarrjen në Olimpiadën e vitit 2028.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat