Kush do të shpallet MVP i vitit 2026 në Zvicër? Në mesin e të nominuarve edhe Laura Dervishaj-Kunzler

Sporti

Kush do të shpallet MVP i vitit 2026 në Zvicër? Në mesin e të nominuarve edhe Laura Dervishaj-Kunzler

Nga: BOTA SOT Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 12:28
Volejbollistja zvicerane Laura Dervishaj - Kunzler gjatë një ndeshjeje

Të dielën, më 3 janar 2027, në ceremoninë “Sports Awards” 2026 do të nderohen personalitetet më të spikatura të sportit zviceran për vitin 2026. 

Në mesin e gjashtë të nominuarve për çmimin prestigjioz “MVP i vitit 2026” është edhe volejbollistja zvicerane Laura Dervishaj-Kunzler, e cila është e martuar me volejbollistin me prejardhje nga Kosova, Leon Dervishaj.

Lajmin për gazetën kombëtare “Bota sot” e ka bërë të ditur Bujar Dervishaj, ish-volejbollist dhe trajner i njohur.

Nominimi i Laura Dervishajt në mesin e sportisteve më të mira të vitit në Zvicër përbën një vlerësim të rëndësishëm për sukseset dhe paraqitjet e saj në volejboll.

Tifozët e sportit mund të votojnë deri më 15 dhjetor 2026 për të përzgjedhur fituesin e çmimit MVP (Lojtari më i mirë i vitit). Në garë janë gjashtë sportistë nga disiplina të ndryshme ekipore.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve ‘Sports Awards’ do të përfshijë kategoritë tradicionale: Sportistja e vitit, Sportisti i vitit, Ekipi i vitit, Trajnerja ose trajneri i vitit, Sportistja ose sportisti paralimpik i vitit dhe MVP i vitit. Gjithashtu, do të vlerësohet edhe talenti më i ri i Zvicrës me çmimin Talenti më i mirë.

Gjashtë të nominuarit në kategorinë MVP

Çmimi MVP, që i jepet lojtarit ose lojtares më të mirë zviceranë në sportet ekipore, përcaktohet edhe përmes votimit online në faqen zyrtare ‘sports-awards.ch’.

Tifozët mund të votojnë për të preferuarin e tyre deri të martën, më 15 dhjetor 2026.

Gjashtë sportistët e nominuar janë përzgjedhur paraprakisht nga komisioni zgjedhor, i përbërë nga Swiss Olympic, Komisioni i Sportistëve i Swiss Olympic, sportpress.ch dhe SRG.

Në vlerësim janë marrë parasysh rezultatet dhe paraqitjet e sportistëve në periudhën nga 1 nëntori 2025 deri më 31 tetor 2026.

Të nominuarit për çmimin MVP i vitit

Andrea Brändli – Hokej në akull: Portierja më e mirë dhe pjesë e ekipit All-Star në Lojërat Olimpike.
Laura Dervishaj - Kunzler – Volejboll: Lojtarja më e mirë zvicerane (MVP).
Lara Heini – Unihokej: Portierja më e mirë në Kampionatin Botëror.
Glenn Hodel – Futboll në rërë: MVP i Ligës së Kampionëve (turneu final).
Roman Josi – Hokej në akull: MVP, mbrojtësi më i mirë dhe pjesë e ekipit All-Star në Kampionatin Botëror.
Johan Manzambi – Futboll: Futbollisti i ri zviceran më i dalluar i vitit.
Votimi online dhe mundësia për të fituar çmime

Përveç tifozëve zviceranë, të drejtë vote kanë edhe mediat sportive kombëtare, si dhe sportistët elitarë zviceranë të Swiss Olympic.

Votat e këtyre tri grupeve kanë peshë të barabartë, nga një e treta secila.

Për pjesëmarrësit në votimin publik online janë paraparë edhe shpërblime tërheqëse. Ndër çmimet që mund të fitohen janë:

Katër bileta në këmbë për Kampionatin Botëror të Skive Alpine, që do të mbahet në Crans-Montana në vitin 2027.

Dy bileta në ulëse për një ndeshje në shtëpi të Kombëtares së Zvicrës në futboll, në konkurrencën e femrave ose të meshkujve.

Dy bileta në këmbë për manifestimin atletik ‘Weltklasse Zürich’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat