Kampionja më e mirë se Prishtina! Krasniqi: Fituam tri setet e radhës me rezultat maksimal

Volejboll

Kampionja më e mirë se Prishtina! Krasniqi: Fituam tri setet e radhës me rezultat maksimal

Nga: Kemajl Goca Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 21:29
M-Technologie

Kampionja në fuqi, M-Technologie nga Prishtina, tregon lojë më të mirë se rivalja e kryeqytetit, Prishtina F, duke e mposhtur me rezultat 3:1 (21:25), 25:16, 25:20, 25:15), në kuadër të javës së nëntë (e fundit në stinorin vjeshtor) në Superligën e Kosovës.

Në setin e parë Prishtina F ka treguar lojë të shkëlqyeshme dhe fitoi me 25:21, duke avancuar me 1:0. Në tre setet tjerë, kampionja mori veten dhe zotëroi pa problem. 

“Ndeshja ishte me rivalitet dhe ekipi ynë edhe pse me mungesa arriti që edhe një herë të jetë fitues në duel me ekipin rival të qytetit dhe kështu përfundon me sukses rrugëtimin e vet pas 9 lojëve kampionale me gjithsej 8 fitoreve dhe me rezultat maksimal dhe një humbje.

Image

Me bindje se çdo herë mund të jemi më të mirë se që ishim, vazhdojmë ta mbrojmë titullin e kampionit.                   

Urime tërë ekipit, vajzave stafit dhe presidentit të klubit z. Rrustem Pacollit”, shkruan në faqen e KV M-Technologie. 

Kryetrajneri i M-Technplogie, Naser Krasniqi, tha se angazhimi dhe loja cilësore, ishin edhe çelësi i fitores së madhe. 

“Ndeshja me ekipin rival gjithmonë shton kureshtjen, ashtu ishte edhe sonte ku ekipi nikoqir Prishtina tregoi dëshirë më të madhe se ekipi ynë duke fituar setin e parë, në këtë i ndihmuam edhe ne me disa gabime të njëpasnjëshme por pastaj ekipi ynë u konsolidua dhe pa problem të madh, fituam tri setet e radhës me rezultat maksimal. 

Image

Në tërë sezonin luajtëm në formë të lart duke fituar të gjitha ndeshjet me rezultat maksimal 3:0, përveç lojës me Dritën që e humbëm edhe pse ishim tërë kohën në avantazh”, thotë Krasniqi për gazetën kombëtare "Bota sot“. 

Krasniqi shprehet kritikë edhe për organizim jo në nivel të garave.  “Ky kampionat vjeshtor përfundoi me këtë ndeshje që për ne ishte e fundit për këtë vit duke lanë pas shumë vërejtje në organizimin e garave nga FVK-ja me shumë lëshime, më shumë dezorganizime me një nivel organizimi amator, me një nivel jo të kënaqshëm të referimit dhe shumë e shumë vërejtje të tjera të cilat sa më parë duhet harruar.

Presim që të gjitha këto dobësi në organizim t’i mënjanojmë në një kuvend të punës apo edhe zgjedhor sepse nuk shkon më kështu. Katër klube në konkurrencën e femrave kanë organizim dhe investojnë shumë në këtë sport, andaj edhe organizimi i garave duhet të pësoj ndryshime për të mirë duke ashpërsuar kriteret e garës dhe duke fut profesionalizëm në FKV.

Sa i përket klubit tonë ne jemi stabil dhe me siguri se do të mundohemi të bëjmë më të mirën të mundshme për sezonin pranveror duke analizu të gjitha ato lëshime të cilat na u kanë shfaq gjatë kampionatit që lamë pas. Gëzon fakti se gara po bëhet shumë më interesante dhe se do të presim një pranverë të nxehtë e gjithmonë duke shpresuar se nuk do të kemi problem me pandemi në sezonin e ardhshëm.

Neve si klub kemi mbështetje maksimale nga kompania “M Technologie”, pastaj Banka Ekonomike, Industria Metalike e Kosovës, Hoteli Swis, Technomarket e tjerë të gjitha këto falë presidentit të klubit z. Rrustem Pacollit të cilit i jemi shumë falënderues dhe mirënjohës”, përfundon Krasniqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat