Valmira Ramadani kërkon maksimumin në Korçë: Të kthehemi në Ferizaj si finaliste  

Volejboll

Valmira Ramadani kërkon maksimumin në Korçë: Të kthehemi në Ferizaj si finaliste  

Nga: Kemajl Goca Më: 25 shkurt 2022 Në ora: 16:00
Valmira Ramadani duke pranuar trofeun nga Bahri Gjinovci, kryetar i FVK-së

Liga “Gjergj Kastrioti” në volejboll, si të meshkujt po ashtu edhe të femrat, po bëhet gjithnjë e më atraktive.

Ekipet më të mira të Kosovës dhe Shqipërisë po marrin pjesë në gjysmëfinale.

Fer Volley nga Ferizaj synon finalen e madhe.

Është i vetmi ekip nga Kosova, qoftë të femrat qoftë të meshkujt, që ka shënuar fitore, duke e mposhtur me rezultat të ngushtë 3:2 Skënderbeun nga Korça, në ndeshjen e parë të gjysmëfinales që u zhvillua të shtunën që e lamë pas në palestrën e sportit “Bill Clinton” në Ferizaj.

Volejbollistja më e mirë e Fer Volley-t, Valmira Ramadani, tha se atmosfera është e mirë dhe mezi e presin përballjen e nesërme në orën 17.00 në palestrën sportive në Korçë. Kapitenja e ekipit ferizajas tha se motivi është i madh dhe synojnë mrekullinë.     

“Siç dihet fokusi ynë që nga java e kaluar e deri ditën e nesërme ka qenë pikërisht kjo ndeshje. 

Ekipi ka arritur në Korçë, jemi vendosur në hotel dhe kemi stërvitjen e parë nga ora 19:30 këtu në Korçë. 

Gjithçka nga vetja jonë kemi për të dhënë për ta fituar këtë ndeshje e cila na kualifikon në finalen e madhe.

Ekipi është super i motivuar pasi që në ndeshjen e parë fituam dhe tani që kemi një pasqyrë më të mirë, do të mundohemi ta përmbyllim sa më mirë dhe të kthehemi në Ferizaj si finalist të kësaj Lige Unike”, thotë Ramadani për gazetën kombëtare “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat