Sadik Ferati: Liria synon të jetë ndër 4 ekipet më të mira në Maqedoninë e Veriut

Volejboll

Sadik Ferati: Liria synon të jetë ndër 4 ekipet më të mira në Maqedoninë e Veriut

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 27 dhjetor 2022 Në ora: 15:19
Sadik Ferati

Dy skuadra shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Liria e Zherovjanit dhe Shkëndija e Tetovës, po luajnë rol të rëndësishëm në elitën e volejbollit (meshkujt).

Liria ka përmbushur parashikimet në pjesën vjeshtore, duke arritur në Top 4-sh, aq më tepër kur merret parasysh se është paraqitur me lojtarë vendorë. 

Liria renditet në vend të katërt me 18 pikë, duke regjistruar 6 fitore e 4 humbje. 

Image

KV Liria e Zherovjanit

Kryetrajneri i Lirisë, Sadik Ferati, me stafin e tij, po e bën një punë të madhe brenda kolektivit. 

Falë punës së tij me stafin kanë arritur rezultatet të lakmueshme.

Sadiku flet për rezultatet, vështirësitë dhe cilat skuadra janë në garë për titull.   

“Bota sot”: Si e sheh ecurinë vjeshtore të Lirisë?

Sadik Ferati: Qëllimin e kemi që të vazhdojmë të jemi ndër 4 ekipet më të mira. Jemi në kontakt me disa përforcime dhe me disa sponzorë, do të shohim si do të ecin bisedimet.

“Bota sot”: Cilët janë rivalët për top 4-sh?

Sadik Ferati: Mendoj se katër klube, Strumica, Shkëndija, Boreci dhe Liria.

“Bota sot”: Ku ka nevojë më së shumti që të përforcohet klubi?

Sadik Ferati: Kemi nevojë në dy pozita, qendër dhe sulmues, edhe pse rivalët tanë kanë nga 2-3 lojtar nga jashtë vendit, Liria është me lojtar vendas.

“Bota sot”: Çfarë i ka munguar klubit në pjesën vjeshtore?

Sadik Ferati: Gjithsesi, aspekti i parë është financat dhe është vështirë të gjendet salla sportive. E kemi në fshat, mirëpo që 6-7 vite është jashtë funksionit. Kemi premtime çdo vit se do të rregullojnë, mirëpo sot e kësaj dite është jashtë funksionit.

“Bota sot”: Liria është e Zherovjanit të Tetovës, ku stërvitet më shumë?

Sadik Ferati: Në Tetovë, e kemi sallën sportive në Zherovjan por nuk stërvitem siç tregova më lartë.

“Bota sot”: Cilat janë kushtet në përgjithësi, a jeni të kënaqur?

Sadik Ferati: Nga rezultati i arritur jam i kënaqur gjithsesi, ku në këto kushte të vështira për klubin tonë jemi në vend të 4-të.

“Bota sot”: Cilat ekipe janë në garë për titull?

Sadik Ferati: Në garë për titull është Strumica njëkohësisht edhe Shkëndija por të shohim në pjesën e dytë të kampionatit cilat ekipe, ndoshta do të marrin përforcime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat