Yll Kadriu: Dëshira e madhe që të fitonim para tifozëve tanë, na e humbi fokusin e lojës 

Volejboll

Yll Kadriu: Dëshira e madhe që të fitonim para tifozëve tanë, na e humbi fokusin e lojës 

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 13 maj 2023 Në ora: 16:15
Skenderaj

Të gjithë janë në pritje të finales së pestë të play - off-it të Superligës së Kosovës në volejboll (femrat), mes Dritës së Gjilanit dhe Skenderajt.

Qyteti i Gjilanit po jeton me aromën e finales së nesërme dhe sipas asaj që flitet nga ky qytet, nesër pritet që të mbushet plot e përplot palestra e qytetit.

I madh dhe i vogël e presin finalen e pestë, që do të përcaktojë kampionin e ri, pasi tani për tani në seri të fitoreve janë 2:2.

Të premten në mbrëmje ishim dëshmitare të një spektakli në palestrën e sportit “Ilaz Kodra” në Skenderaj, mbi 2 mijë shikues dhe në anën tjetër Drita ngadhënjeu me rezultat 3:0 ndaj Skenderajt.

Kryetrajneri i Skenderajt, Yll Kadriu, tha se janë të përgatitur e të motivuar për finalen e nesërme që luhet në orën 20.00.   

Kadriu tha se dëshira e madhe për fitore edhe i dogji në takimin e mbrëmshëm.

“Ne jemi të përgatitur dhe të motivuar, një paraqitje jo e mirë nuk do të thotë që ne jemi dorëzuar. 

Thjesht dëshira e madhe që të fitonim para tifozëve tanë që ishin të mrekullueshëm na e humbi fokusin e lojës”, tha Kadriu për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Kadriu tha se tani janë të fokusuar për finalen në Gjilan: “Tani në Gjilan ne nuk kemi detyra organizative dhe e vetmja gjë që do të mendojmë është loja.

Ne jemi të kompletuar, pa asnjë mungese, dhe për këtë jam shumë i lumtur.

Nuk ka qenë e lehtë që për një vit të plotë të mbash ekipin në ritëm të lartë dhe pa asnjë lëndim, kjo mendoj që është për arsye të përgatitjes së mirë sepse tërë kampionati ka qenë i bazuar në 7 lojtare me përvojë sepse pjesa tjetër janë lojtare shumë të talentuara por nuk kanë përvojë për ndeshje te mëdha”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat