Daulina Osmani e viziton kombëtaren U-16 të Kosovës në prag të evropianit në Prishtinë

Volejboll

Daulina Osmani e viziton kombëtaren U-16 të Kosovës në prag të evropianit në Prishtinë

Më: 1 korrik 2025 Në ora: 11:33
Daulina Osmani e viziton kombëtaren U-16

Në atmosferën e përgatitjeve të fundit për Kampionatin Evropian të Volejbollit për grupmoshën U16, zëvendësministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Daulina Osmani, vizitoi të martën kampin stërvitor të Kombëtares U16 të vajzave, në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.

“Vizita e saj ishte një dëshmi e qartë e mbështetjes së plotë të MKRS-së, e cila ka qenë thelbësore në të gjitha etapat e organizimit dhe përgatitjeve për këtë kampionat të jashtëzakonshëm. 

Në adresimin e saj drejtuar vajzave të Kombëtares, znj. Osmani i inkurajoi të japin më të mirën dhe të përfaqësojnë me krenari Republikën e Kosovës në arenën evropiane.

Znj. Osmani u prit nga presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci, sekretari i përgjithshëm Valon Nikqi, si dhe anëtarët e bordit Gezim Brahimi dhe Gentiana Beqa, të cilët e falënderuan për përkrahjen e jashtëzakonshme të ofruar nga MKRS në të gjitha format.

Kjo mbështetje financiare ka qenë 100% e garantuar dhe vendimtare për realizimin e këtij projekti madhor.

CEV Kampionati Evropian U16 për vajza, që do të mbahet nga 2 deri më 13 korrik 2025, është ngjarja më e madhe ndërkombëtare në historinë e volejbollit kosovar, dhe një ndër më të rëndësishmet nga sportet ekipore të zhvilluara ndonjëherë në vendin tonë.

Ky kampionat zhvillohet në dy qytete:

 Grupi I do të luajë ndeshjet në Tiranë

Grupi II do të garojë në Prishtinë, në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve.

Pjesëmarrëse janë 16 kombëtare evropiane, ndër to edhe mikpritëset Kosova dhe Shqipëria, që do të kenë rastin të tregojnë potencialin dhe mikpritjen në nivelin më të lartë sportiv.

Për më tepër, të gjitha grumbullimet përgatitore të Kombëtares U16 janë mbështetur 100% nga MKRS, duke siguruar kushte të plota stërvitore, logjistike dhe organizative për vajzat tona. 

Federata e Volejbollit e Kosovës shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj MKRS-së, për vizionin dhe përkushtimin që po e bën të mundur organizimin dinjitoz të një ngjarjeje kaq të madhe”, njofton FVK.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat