Me rastin e 249-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Këndin Amerikan në Tetovë, e organizoi Turneun e Beach Volleyt, një aktivitet sportiv me karakter ndërkombëtar.
Turneu mblodhi ekipe dhe sportistë nga vendi dhe rajoni, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Bullgarinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilët krijuan atmosferë festive dhe dinamike në këtë garë.
Kosovën e përfaqësoi çifti Ermal Maliqi e Erion Ibrahimi.
Pas disa ndeshjesh emocionuese, trofetë u ndanë për tre ekipet më të mira, si: vendi I për ekipin nga Republika e Kosovës, i cili në finale e mposhti ekipin nga Republika e Serbisë me rezultat 2:0 në sete, vendi II për ekipin nga Serbia, ndërkaq vendi III i takoi ekipit nga Republika e Bullgarisë, i cili triumfoi 2:1 ndaj ekipit të Universitetit të Tetovës.
Maliqi shprehet i lumtur për suksesin në Tetovë.
“Pas 3 ditëve sa zgjati aktiviteti, arritëm të fitojmë 5 ndeshje, ku në fazën e grupeve mposhtëm çiftin serb dhe çiftin maqedon me rezultat të njëjtë 2:0.
Me këtë rezultat u kualifikuam në çerekfinale si të parët e grupit.
Diten e fundit zhvilluam ndeshjet çerekfinale, ku mposhtëm ekipin e dytë nga Bullgaria, duke u plasuar në gjysmëfinale për t’u ndeshur me ekipin tjetër bullgar.
Ishte ndeshje e veshtirë pasi që përball kishim kampionët e Bullgarisë duke i mposhtur 2:1 në sete.
Në finale dhamë gjithçka nga vetja duke dominuar gjatë gjithë lojës çiftin serb me rezultat 2:0 në sete”, thotë Maliqi për gazetën kombëtare “Bota sot”.