Kombëtarja A e Kosovës në volejboll për meshkuj ka zhvilluar sot në Ferizaj stërvitjen e fundit para ndeshjes së sotme ndaj Sllovakisë, e vlefshme për kualifikimet e CEV EuroVolley 2026.
“Seanca përmbyllëse u mbajt në Pallatin e Sporteve “Bill Clinton”, aty ku sonte nga ora 20:30 do të zhvillohet edhe përballja.
Përgatitjet u drejtuan nga trajneri malazez Darko Prebiraçeviç, i cili po e udhëheq për herë të parë përfaqësuesen në një ndeshje zyrtare.
Në stafin teknik janë edhe ndihmëstrajnerët Skënder Lajçi dhe Valon Mustafa.
Kjo është ndeshja e tretë për “Dardanët” në këto kualifikime, pas sfidave të zhvilluara gjatë verës së vitit 2024 ndaj Letonisë dhe Sllovakisë.
Kombëtarja është e motivuar të japë maksimumin para tifozëve vendorë dhe të arrijë një paraqitje dinjitoze kundër një kundërshtari me përvojë në arenën evropiane”, njofton FVK.