Volejbolli ka shumë sfida para vetes në vjeshtën e edicionit 2025 dhe në vitin 2026.
Synimi i komunitetit të volejbollit në vendin tonë, është që të rrisin nivelin e lojës dhe të rezultateve edhe në rrafshin ndërkombëtar.
Bahri Gjinovci, president i Federatës së Volejbollit të Kosovës, ka folur për sfidat që po kalon sporti skofiar dhe cilat janë synimet në mandatin e tij.

Kosova
Gjinovci mburret që volejbolli është sporti më i dashur tek gjinia femërore në Kosovë nga sportet tjera kolektive, ku ka një numër jashtëzakonisht të madh që merren me këtë sport.
“Bota sot”: Vjeshta si gjithmonë është dinamike, si e sheh ecurinë në javët e para të Kampionatit të Kosovës?

Bahri Gjinovci
Bahri Gjinovci: Fillimi i këtij sezoni ka qenë vërtet dinamik dhe premtues për volejbollin e Kosovës.
Gjithçka nisi me ndeshjen e Superkupës së Kosovës, ku u përballën KV Fer Volley dhe KVF Ferizaj.

Ishte një ndeshje shumë e nivelit të lartë që tregoi se ekipet janë përgatitur seriozisht për sezonin e ri.
Përveç rivalitetit sportiv, ajo ndeshje shënoi edhe një fillim simbolik për kampionati, me organizim të shkëlqyer, interesim të publikut, duke dëshmuar se volejbolli po fiton çdo ditë më shumë vëmendje.
Në javët e para të Kampionatit të Kosovës, kemi parë një balancim të ekipeve në të dy konkurrencat.
Ka shumë ndeshje cilësore, ekipe të reja që po tregojnë progres, dhe mbi të gjitha një përmirësim të dukshëm në aspektin organizativ dhe teknik.
Federata ka punuar që të sigurojë kushte më të mira për zhvillimin e garave dhe këtë e shohim në mënyrën se si po zhvillohen takimet.
“Bota sot”: Cilat janë objektivat si FVK për edicionin 2025-2026?
Bahri Gjinovci: Për edicionin 2025–2026, Federata e Volejbollit të Kosovës synon të thellojë zhvillimin sportiv në të gjitha nivelet, nga garat kombëtare te organizimet dhe bashkëpunimet ndërkombëtare.
Pas organizimit të suksesshëm Kampionatit Evropian U16 për femra 2025, në bashkëorganizim me Shqipërinë, FVK do të aplikoj për organizimin e garave të tjera evropiane, me synim që Kosova të bëhet mikpritëse e rregullt e ngjarjeve të rëndësishme të CEV-së.
Në nivel sportiv, përfaqësueset e Kosovës do të marrin pjesë në Kampionatet Evropiane U18 për meshkuj dhe femra, ndërsa në rajon planifikohet organizimi i aktiviteteve ballkanike dhe zgjerimi i bashkëpunimit me federatat fqinje.
Një rol të veçantë në këtë drejtim e zënë aktivitetet e përbashkëta me Federatën Shqiptare të Volejbollit, përfshirë Kupën e Pavarësisë, e cila zhvillohet çdo nëntor në shenjë simbolike të bashkimit sportiv, si dhe Ligën “Gjergj Kastrioti”, që po kthehet në një platformë të përbashkët zhvillimore për klubet elitare të të dy vendeve.
Qëllimi ynë është i qartë: të rrisim standardin e volejbollit të Kosovës, të forcojmë bashkëpunimin kombëtar dhe rajonal, dhe ta vendosim Kosovën në hartën e organizimeve të denja evropiane.
“Bota sot”: Tetë kombëtare në kategoritë e ndryshme, sa është vështirë kur kihet parasysh se buxheti nuk është mjaftueshëm?
Bahri Gjinovci: Është e vërtetë që menaxhimi i tetë kombëtareve të Kosovës në kategori të ndryshme është një sfidë e madhe, sidomos kur buxheti nuk është gjithmonë në nivelin e kërkesave që kërkon një zhvillim modern i volejbollit. Megjithatë, kjo nuk na ka ndalur që si Federatë e Volejbollit e Kosovës të jemi aktivë dhe të vazhdojmë me plane të qarta për të gjitha përfaqësueset.
Në çdo grupmoshë, nga U16 e deri te seniorët, meshkuj e femra, jemi përpjekur të sigurojmë kushte sa më të mira për përgatitje dhe pjesëmarrje në garat ndërkombëtare.
Kemi krijuar një sistem të qëndrueshëm pune, ku bashkëpunimi mes klubeve, trajnerëve dhe federatës është çelësi për zhvillimin e lojtarëve të rinj.
Sigurisht, sfidat buxhetore janë reale. Pjesëmarrja në Kampionatet Evropiane të grupmoshave, organizimi i kampeve stërvitore dhe përgatitjet para garave kërkojnë investime të mëdha. Por përmes bashkëpunimit me MKRS dhe mbështetjes së sponsorëve po arrijmë ta zbusim këtë hendek financiar dhe të sigurojmë mbështetje konkrete për secilën kombëtare.
Në fund të ditës, motivimi i lojtarëve dhe stafit teknik është forca jonë më e madhe. Ata përfaqësojnë me dinjitet Kosovën kudo që shkojnë, dhe kjo është arsyeja pse FVK do të vazhdojë të investojë maksimalisht në përfaqësueset tona, pavarësisht vështirësive buxhetore.
“Bota sot”: Volejbollit sundon si sport me gjininë e femrave në të gjitha sportet, ka më së shumti ekipe! Pse është interesimi aq i madh tek kjo konkurrencë?
Bahri Gjinovci: Është e vërtetë që volejbolli në Kosovë ka një veçori shumë të bukur, dominimin e konkurrencës së femrave, e cila aktualisht përbën shumicën e ekipeve aktive në vend.
Kjo nuk është rastësi, por rezultat i një pune të gjatë dhe sistematike që është bërë gjatë viteve në klube, shkolla dhe komunitete.
Në radhë të parë, volejbolli shihet si sport atraktiv, i sigurt dhe edukativ për vajzat e reja, që i ndihmon në zhvillimin fizik, shoqëror dhe psikologjik. Ai ka një qasje bashkëpunuese, me më pak kontakt fizik në krahasim me sportet e tjera, dhe kjo e bën më të pranueshëm nga familjet.
Nga ana tjetër, klubet e vajzave kanë qenë gjithmonë më aktive në promovim dhe organizim. Shumë trajnere dhe ish-lojtare të njohura janë kthyer në figurat kyçe të zhvillimit të kësaj gare, duke krijuar një frymë motivuese për brezat e rinj.
Si Federatë, ne e kemi mbështetur fuqishëm këtë drejtim duke ndërtuar politika që stimulojnë përfshirjen e vajzave në sport, përmes garave të grupmoshave, kampeve dhe projekteve zhvillimore, ku Kosova shpesh përmendet si shembull pozitiv në rajon për pjesëmarrjen e lartë të femrave.
Interesimi i madh në këtë konkurrencë është një tregues se volejbolli është bërë sporti më i dashur për vajzat kosovare, dhe ne synojmë ta mbajmë këtë trend në rritje përmes kushteve më të mira dhe përfshirjes së vazhdueshme në ngjarje ndërkombëtare.
“Bota sot”: Çfarë i mungon volejbollit në përgjithësi?
Bahri Gjinovci: Volejbolli në Kosovë ka bërë hapa të mëdhenj përpara në aspektin organizativ dhe sportiv, por natyrisht ende ka disa sfida që duhet të tejkalohen për ta çuar sportin në nivelin që e synojmë.
Së pari, mbështetja financiare mbetet faktori kryesor që e kufizon zhvillimin më të shpejtë të volejbollit. Shumë klube punojnë me pasion e përkushtim, por jo gjithmonë me burime të mjaftueshme për investime në infrastrukturë, staf profesional apo zhvillim të të rinjve.
Një rritje e mbështetjes nga institucionet shtetërore, sponsorët dhe niveli lokal do të kishte ndikim të menjëhershëm në cilësi.
Së dyti, mungesa e infrastrukturës së specializuar për volejboll është ende një problem që ndikon në zhvillimin e rregullt të garave dhe përgatitjeve. Nevojiten më shumë palestra të përshtatura për standardet e CEV dhe FIVB, me kapacitete që i përshtaten ngjarjeve kombëtare e ndërkombëtare.
Gjithashtu, duhet të forcohet më tej sistemi i zhvillimit të trajnerëve dhe të rinjve, në mënyrë që të sigurohet kontinuitet cilësor. FVK është duke punuar aktivisht në këtë drejtim përmes bashkëpunimeve me CEV, FIVB dhe programeve Erasmus+, por ky proces kërkon investim dhe kohë.
Në thelb, volejbollit nuk i mungon pasioni, talenti apo potenciali – ato ekzistojnë në Kosovë. Ajo që i mungon është një mbështetje më e gjerë institucionale dhe infrastrukturore, që ta kthejë këtë potencial në sukses të qëndrueshëm.
“Bota sot”: Cilat janë sfidat më të mëdha në edicionin 2025-2026, që iu shkaktojnë kokëçarja?
Bahri Gjinovci: Si çdo sezon i ri, edhe edicioni 2025–2026 ka sfidat e veta, të cilat kërkojnë angazhim maksimal dhe koordinim të plotë mes të gjitha strukturave të volejbollit të Kosovës.
Një nga sfidat më të mëdha është menaxhimi i kalendarit të ngjeshur të garave, pasi përveç kampionateve kombëtare, këtë vit kemi edhe garat e përbashkëta me Federatën Shqiptare te Volejbollit dhe garat ndërkombëtare që kërkojnë përgatitje të detajuar logjistike dhe organizative.
Sfida tjetër mbetet sigurimi i burimeve të mjaftueshme financiare për të përballuar të gjitha aktivitetet – nga përfaqësueset kombëtare e deri te garat e grupmoshave dhe zhvillimi i gjyqtarëve e trajnerëve. Edhe pse kemi mbështetje nga MKRS, sponsoret dhe partnerët ndërkombëtarë, nevojat rriten çdo vit paralelisht me zgjerimin e aktiviteteve.
Gjithashtu, një vëmendje e veçantë kërkohet për infrastrukturën sportive, pasi ende shumë klube nuk kanë kushte optimale për stërvitje e ndeshje, çka ndikon në cilësinë e garave.
Megjithatë, ajo që mund të them me bindje është se Federata po punon me përkushtim të madh, duke u bazuar në një plan të qartë strategjik.
Me ndihmën e institucioneve dhe bashkëpunimin e klubeve, besojmë se edhe këto sfida do të përballohen me sukses.
“Bota sot”: A pritet të ketë prurje të reja të kombëtaret femra e meshkuj, negocioni me ndonjë volejbolliste e volejbollist në diasporë?
Bahri Gjinovci: Ne jemi në bisedime të vazhdueshme për përforcime të reja në përfaqësueset kombëtare, si në konkurrencën e femrave ashtu edhe të meshkujve. Ka interesim të dukshëm edhe nga vetë volejbollistët dhe volejbollistet në diasporë, të cilët shprehin dëshirën për ta përfaqësuar Kosovën dhe për të kontribuar në zhvillimin e volejbollit tonë kombëtar.
Megjithatë, një nga pengesat kryesore me të cilat po përballemi janë rregullat e FIVB-së që kanë të bëjnë me ndryshimin e federatës së origjinës. Ky proces është mjaft burokratik dhe i zgjatur, pasi kërkon dokumentacion të plotë, konfirmime nga federatat paraprake dhe periudha pritjeje të caktuara për regjistrim zyrtar.
Pavarësisht këtyre vështirësive administrative, ne nuk do të ndalemi në këtë drejtim. FVK do të vazhdojë të punojë për të krijuar mundësi që lojtarët shqiptarë në diasporë të bëhen pjesë e përfaqësueseve tona, sepse përveç përvojës sportive që sjellin, ata janë një pasuri kombëtare që mund të kontribuojnë në ngritjen e nivelit të volejbollit të Kosovës.
Ne besojmë se në një periudhë të afërt do të arrijmë të konkretizojmë disa prej këtyre bashkëpunimeve, të cilat do të reflektojnë pozitivisht në rezultatet dhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Bota sot” Me palestra si qëndron puna, keni shqetësime?
Bahri Gjinovci: Këtë periudhë situata është bërë edhe më e ndërlikuar, pasi shumë palestra janë vënë në shfrytëzim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për procesin zgjedhor, gjë që po shkakton vonesë dhe vështirësi në mbajtjen e ndeshjeve të kampionatit.
Kjo ka detyruar disa klube të zhvendosin ndeshjet në palestra alternative, çka ndikon drejtpërdrejt në ritmin dhe rregullsinë e garave.
Po, çështja e palestrave sportive mbetet një ndër sfidat më të theksuara në zhvillimin e volejbollit të Kosovës. Edhe pse në vitet e fundit janë bërë disa përmirësime në infrastrukturë, numri i palestrave që plotësojnë kushtet e plota për gara kombëtare dhe ndërkombëtare është ende i kufizuar.
Në shumë komuna, klubet janë të detyruara të ndajnë hapësirat me sporte të tjera ose të stërvitin në ambiente që nuk përmbushin standardet e CEV dhe FIVB. Kjo krijon vështirësi në organizimin e ndeshjeve, oraret e stërvitjeve dhe zhvillimin e të rinjve.
Federata e Volejbollit të Kosovës është në bashkëpunim të vazhdueshëm me MKRS-në dhe komunat për të siguruar kushte më të përshtatshme.
Gjithashtu, për ngjarje të veçanta si Superkupa, Kupa e Kosovës apo Kampionati Evropian U16 për femra, kemi arritur të organizojmë ndeshje në palestra si ajo e Ferizajt dhe Prishtinës, që tashmë përmbushin standardet ndërkombëtare.
Megjithatë, nevojitet një strategji kombëtare për sportin e sallës, që të garantojë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës në çdo rajon. Kjo do të ndihmonte jo vetëm volejbollin, por të gjitha sportet ekipore.
“Bota sot”. Cila është mesazhi për komunitetin e volejbollit?
Bahri Gjinovci: Mesazhi im për gjithë komunitetin e volejbollit të Kosovës, lojtarët, trajnerët, gjyqtarët, klubet, prindërit dhe tifozët është që të vazhdojmë së bashku në këtë rrugë të zhvillimit dhe profesionalizmit.
Volejbolli në Kosovë ka arritur shumë në një kohë të shkurtër, falë punës, pasionit dhe përkushtimit të secilit që është pjesë e këtij komuniteti. Ne kemi dëshmuar se, edhe me sfida të mëdha, mund të organizojmë ngjarje të rëndësishme, të përfaqësojmë Kosovën me dinjitet dhe të ndërtojmë një imazh të respektuar në Evropë.
Ky sukses duhet të na motivojë të ecim më tej të investojmë më shumë në të rinjtë, në edukim dhe në bashkëpunim, sepse këto janë themelet që do ta çojnë volejbollin tonë në një nivel tjetër.
Në emër të Federatës së Volejbollit të Kosovës, falënderoj çdo individ që kontribuon çdo ditë në zhvillimin e këtij sporti. Vetëm të bashkuar mund ta bëjmë që volejbolli i Kosovës të jetë një histori e suksesshme dhe e qëndrueshme.