Shqipëria rikthim në arenën ndërkombëtare, Erblira Bici: Vendim i duhur

Volejboll

Shqipëria rikthim në arenën ndërkombëtare, Erblira Bici: Vendim i duhur

Më: 9 dhjetor 2025 Në ora: 11:49
Erblira Bici:

Pas një mungese prej shumë vitesh, më në fund Shqipëria do të rikthehet të përfaqësohet në arenën ndërkombëtare me kombëtaret e volejbollit.Lajmin e ka dhënë Federata Shqiptare e Volejbollit, teksa në mbledhjen e fundit të bordit drejtues është vendosur për rikthimin e pjesëmarrjes në kompeticionet europiane me kombëtaret e para për femra dhe meshkuj, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm për promovimin e volejbollit shqiptar në arenën europiane.

Bordi i FSHV-së ka hapur dritën jeshile me Shqipërinë që do të luaj në “Europa League”, duke e konsideruar këtë vendim si pjesë e strategjisë së zhvillimit dhe rikthimit të konkurrueshmërisë ndërkombëtare.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, e komentoi kështu vendimin e FSHV-së: “Rikthimi në arenën europiane i përfaqësueseve tona Senior Meshkuj dhe Femra përfaqëson një moment kyç për volejbollin shqiptar.

Pjesëmarrja në ‘Europa League’ nuk është vetëm një sfidë sportive, por edhe një mundësi konkrete për rritjen e nivelit të lojtarëve tanë, forcimin e strukturave të ekipeve kombëtare dhe rikthimin e besimit të publikut.

Federata është e përkushtuar maksimalisht për të garantuar kushtet më të mira të përgatitjes, staf profesional dhe një përfaqësim dinjitoz të Shqipërisë në Europë”, deklaroi ndër të tjera kreu i sportit të rrjetës në Shqipëri, duke theksuar se Federata Shqiptare e Volejbollit mbetet e vendosur në misionin e saj për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sporti dhe për rritjen e përfaqësimit ndërkombëtar të Shqipërisë në arenat europiane.

Kombëtarja e femrave daljen e saj të fundit ndërkombëtare e ka më datë 9 janar të vitit 2019, në kualifikueset e Kampionatit Europian. Gati shtatë vite pa një ekip përfaqësues, me Shqipërinë që nuk ka mundur të shfrytëzojë potencialin e jashtëzakonshëm të Erblira Bicit.

Një volejbolliste e nivelit të lartë, një forcë e natyrës që po shkëlqen çdo javë në Itali, por që nuk ka mundur që të japë kontributin e saj për Kombëtaren.

E kontaktuar nga “Panorama Sport”, Bici e ka përshëndetur vendimin për rikthimin e Kombëtares.

“Rikthimi i Kombëtares shqiptare në arenën ndërkombëtare mendoj se është një vendim i duhur pas një kohe të gjatë mungese. Kjo është një mundësi shumë e mirë për të gjithë sportistët e rinj dhe të reja për të parë dhe krahasuar veten në arenën ndërkombëtare.

Po ashtu është një nder të përfaqësosh fanellën e Shqipërisë në këto aktivitete.

Shpresoj që të jetë fillimi i një rrugëtimi të gjatë dhe pozitiv për Kombëtaren tonë, po ashtu dhe për vajzat e reja që të krijohen mundësi për vazhdimësinë e karrierës në kampionate më të forta”, u shpreh 30- vjeçarja nga Gramshi, e cila po spikat në Serinë A1 me skuadrën Megabox Vallefoglia.

Kujtojmë që Erblira Bici është volejbollistja e vetme shqiptare që ka arritur të fitojë Ligën e Kampioneve. Ajo ishte pjesë e Novarës në triumfin në Champions në vitin 2019.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat