Edon Ibrahimi: Ne nuk ndjejmë asnjë lloj presioni nga askush 

Volejboll

Edon Ibrahimi: Ne nuk ndjejmë asnjë lloj presioni nga askush 

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 18 mars 2026 Në ora: 16:19
Edon Ibrahimi

Elita e volejbollit e Kosovës në konkurrencën e femrave, po bëhet gjithnjë e më interesante kah fundi i pjesës së rregullt të kampionatit.

Fer Volley është duke sunduar në pjesën e rregullt të kampionatit, ku pretendon t’i fitojë të gjitha trofetë.

Kampionja në fuqi e Kosovës dhe liderja e kampionatit, synojnë që në secilën ndeshje të japin atomin e fundit dhe të korrin frytet që dëshirojnë.

Image

Fer Volley

Kryetrajneri i Fer Volley nga Ferizaj, Edon Ibrahimi, shpreh optimizmin për brumin që ka brenda klubit, se synimet do të bëhen realitet.

Fer Volley është klubi më i organizuar në vend, shquhet për disiplinë, punë dhe rezultatet janë pasqyrë e lojërave cilësore, ku kryesojnë renditjen me 54 pikë pas javës së 19-të, 7 pikë më shumë se Drita në pozitën e dytë.

Image

Shikuesit

“Bota sot”: Fer Volley dominon pjesën e rregullt të kampionatit, ku ishte arma e këtij suksesi?

Edon Ibrahimi: Disiplina dhe konsistenca.

Ekipi ka pas identitet të qartë loje dhe çdo lojtare e di punën e saj. Nuk kemi luhatje të mëdha dhe kjo na ka mbajt në nivel gjatë gjithë sezonit.

“Bota sot”:  Si e sheh ekipin tuaj në vazhdim të kampionatit?

Edon Ibrahimi: Kemi pasur disa ndryshime të rëndësishme në ekip, me largimin e dy lojtareve titullare dhe afrimin e dy të rejave, përfshirë edhe organizatoren që është bashkuar vetëm para disa ditësh.

Këto janë situata që ndodhin por se na duhet pak kohë për të kapur ritmin.

Play-off-i është shumë afër dhe fokusi ynë është të jemi në nivelin më të lartë në momentin e duhur. Ky ekip ka treguar gjatë gjithë sezonit që di të fitojë dhe kjo është ajo që ka rëndësi.

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë si ekip?

Edon Ibrahimi: Pak kohë dhe vazhdimësia. Kualiteti është aty, por duhet të ndërtojmë më shumë automatizëm në lojë, sidomos në organizim dhe ritëm

“Bota sot”: Drita është më e mirë në pranverë, a e keni presionin e tyre?

Edon Ibrahimi: Drita është ekipi me investimet më të mëdha në pranverë dhe padyshim se është një ekip më i mirë se që ishte, por ne nuk ndjejmë asnjë lloj presioni nga askush.

Fokusi jonë kryesorë është puna dhe loja jonë , jo te forma e kundërshtarëve.

“Bota sot”: Kë e shihni rivalen më të madhe në luftë për titullin e kampionit?

Edon Ibrahimi: Në këtë fazë nuk ka ndeshje të lehtë. Drita, Ferizaj, Fushë Kosova dhe Skenderaj janë ekipe që janë shumë të rrezikshme.

“Bota sot”: Ku dalloni me ekipet tjera?

Edon Ibrahimi: Te stabiliteti gjatë sezonit dhe mentaliteti fitues. Edhe në periudha me ndryshime, ekipi ka mbajtur nivel të lartë duke treguar nivel të jashtëzakonshëm.

“Bota sot”: Cili është synimi juaj si trajner?
Edon Ibrahimi:
Të fitojmë titullin dhe kupën dhe ta mbajmë nivelin e ekipit të lartë në çdo aspekt, fizik, taktik dhe mental.

“Bota sot”: Çfarë i premton tifozëve ferizajasve?
Edon Ibrahimi:
Maksimumin në çdo ndeshje. Ekip që lufton deri në fund dhe nuk dorëzohet kurrë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat