Bahri Gjinovci flet për palestrën në Greme dhe synimet e kombëtares së Kosovës

Volejboll

Bahri Gjinovci flet për palestrën në Greme dhe synimet e kombëtares së Kosovës

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 20 maj 2026 Në ora: 13:53
Bahri Gjinovci

Kombëtarja A e Kosovës në volejboll (meshkujt) po përgatitet me përkushtim në palestrën e re të sportit në Greme që gjendet 5 kilometra larg qytetit të Ferizajt.

Kosova synon të përgatitet në çdo aspekt që të jetë gati për garat e mëdha evropiane.

Bahri Gjinovci, president i Federatës së Volejbollit të Kosovës, është i mahnitur me kushtet, ambientin në palestër por edhe me bukuritë e fshatit Greme.

“Jemi shumë të kënaqur me kushtet që ofron palestra në Greme, e cila i plotëson të gjitha standardet si për zhvillimin e procesit stërvitor, ashtu edhe për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare.

Për ne si Federate është shumë e rëndësishme që kombëtaret tona të kenë kushte profesionale për përgatitje dhe zhvillim.

Në këtë drejtim, bashkëpunimi me Komunën e Ferizajt ka qenë shembullor prej shumë vitesh dhe dua të shpreh mirënjohjen dhe falendërimet më të mira për Kryetarin e komunës dhe Drejtorin për Sport për mbështetjen e vazhdueshme që na kanë ofruar në çdo kërkesë dhe nevojë të Federatës”, thotë Gjinovci për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Gjinovci ka folur edhe për atmosferën dhe synimet e kombëtares A të Kosovës.

“Sa i përket Kombëtares A të meshkujve, ekipi po zhvillon përgatitje intensive në një atmosferë shumë pozitive dhe me përkushtim maksimal nga të gjithë lojtarët dhe stafi teknik.

Në këtë cikël  përgatitor janë përfshirë edhe disa volejbollistë të rinj e shume premtues, të cilët së bashku me lojtarët me përvojë po krijojnë një grup kompakt dhe konkurrues.

Synimi ynë është që të arrijmë rezultate pozitive në garat ndërkombëtare që nisin në fillim të muajit qershor.

Jemi të vetëdijshëm se ekipet kundërshtare në grupe kanë traditë të madhe dhe cilësi të lartë, megjithatë besojmë fuqishëm në potencialin e ekipit tonë.

Me punën intensive, disiplinën dhe atmosferën shumë të mirë brenda skuadrës, kemi besim se mund të paraqitemi denjësisht dhe të arrijmë fitore të rëndësishme ndaj çdo kundërshtari”, ka përfunduar Gjinovci.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat