Visar Alimehaj i kundërpërgjigjet Bahri Gjinovcit: Më kërcënoni me padi sepse kam ngritur publikisht pyetje...

Volejboll

Visar Alimehaj i kundërpërgjigjet Bahri Gjinovcit: Më kërcënoni me padi sepse kam ngritur publikisht pyetje...

Nga: K.Goca Më: 24 shtator 2026 Në ora: 12:35
Visar Alimehaj e Bahri Gjinovci

Ish nënkryetari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Visar Alimehaj, i kundërpërgjigjet kryetarit të Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovcit, në lidhje që ky i fundit e ka paralajmëruar se do ta padis.

Gjinovci është edhe anëtar i Bordit të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Po çfarë i thotë Alimehaj Gjinovcit?

“Z. Bahri Gjinovci, këtu lind një pyetje shumë e thjeshtë dhe legjitime.

Vetëm një ditë para reagimit tuaj, vetë Komiteti Olimpik i Kosovës pranoi publikisht se ka pasur komunikime dhe mundësi bashkëpunimi me Komitetin Olimpik të Kanadasë dhe se Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, kishte pasur takime të planifikuara me përfaqësues të Komitetit Olimpik të Kanadasë.

Ju deklaroni se “nuk keni pasur asnjë dijeni apo përfshirje në këtë çështje”.

Por ju jeni njëkohësisht anëtar i Bordit të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe kryetar i Federatës së Volejbollit të Kosovës, ndërsa Ismet Krasniqi është një person me të cilin, siç dihet publikisht, keni marrëdhënie të afërta.

Prandaj pyetja është: nëse vërtet nuk keni pasur asnjë dijeni për këtë çështje, çfarë roli keni pasur si anëtar i Bordit? Çfarë bëni ju dhe anëtarët tjerë në Bord? Dhe, nëse një mundësi e tillë bashkëpunimi nuk u realizua, pse nuk po kërkoni sqarime dhe përgjegjësi institucionale nga Presidenti i KOK-ut?

Në vend të kësaj, ju zgjidhni të më kërcënoni me padi sepse kam ngritur publikisht pyetje mbi një çështje që tashmë vetë KOK-u e ka pranuar se ka ekzistuar.

Unë nuk po kërkoj asgjë tjetër përveç transparencës: Kush ka komunikuar me Komitetin Olimpik të Kanadasë?

Çfarë është diskutuar?

Pse nuk u realizuan takimet e planifikuara? Dhe pse kjo mundësi bashkëpunimi nuk u procedua më tej?

Për komunikimet dhe dokumentacionin që kam në posedim, jam i gatshëm t'i paraqes aty ku duhet.

Prandaj, z. Gjinovci, para se të më kërkoni mua llogari në gjykatë, ndoshta do të ishte më e drejtë t'u kërkonit llogari atyre që kanë pasur përgjegjësi institucionale për këtë çështje.

Kjo është çështje transparence dhe përgjegjësie institucionale, jo çështje personale. Ti ke përgjegjësi se je pjesë e atij institucioni.

Nga krejt kjo mundë ta përmbledhi se Kosova ka humbë shumë, sportistat, trajnerë e Kosovës kanë pasur një mundësi të art por Institucioni ku ju bëni pjesë ja hupi këtë mundësi. Andaj tregona kush i ka fajet se hiq nuk më ke bind as mua as publikun se ti ske pas dijeni për këtë punë.

Kjo çështë është për interes publik dhe publiku tani e tutje duhet ta dijë të vërteten”, ka reaguar Alimehaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat