Sukseset e shkollës Shqipe në Zvicër nuk kanë të ndalur/ Hapet edhe një paralele tjetër me dhjetëra nxënës

Zvicra

Sukseset e shkollës Shqipe në Zvicër nuk kanë të ndalur/ Hapet edhe një paralele tjetër me dhjetëra nxënës

Më: 17 dhjetor 2021 Në ora: 14:34
Nxënësit  e grupit të dytë të pikës shkollore në shkollën Rotkreuz, të Kantonit Zug së bashku me mësuesen Lumnije Klinaku – Neziri

Sukseset e “Shkollës Shqipe – Zvicër” nuk kanë të ndalur.. Vetëm në këtë vit janë hapur dhjetëra shkolla në mbarë Zvicrën, qindra e qindra nxënës kanë filluar gjatë këtij viti shkollor orët mësimore në gjuhën amtare. 

Kjo është pika e tretë shkollore (pas Cham, Baar) në Kantonin e Zug-ut. Me të drejtë thuhet: “Aty ku punohet nuk mungon suksesi”. Kjo thënie vjetër dëshmohet dita -ditës në kuadër të pikave shkollore.

Të mërkurën, me datën 15 dhjetor 2021 edhe zyrtarisht filloi mësimi në pikën shkollore në Rotkreuz, të Kantonit Zug, në Zvicër, njofton gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch

“Ne mësojmë shqip, në jemi shqiptarë”, – A ka gëzim më të madh se të dëgjosh këto fjalë nga fëmijët shqiptarë, të cilët edhe pse të lindur larg atdheut zemra ju rrah për gjuhën shqipe, për Kosovën, për Shqipërinë. Kështu ishte dje në klasën e mësueses Lumnije Klinaku – Neziri.

A ka gjë më të bukur se të shohësh klasën plot nxënës nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët hynë në klasë të motivuar për ta mësuar gjuhën amtare. Kështu ndodhi këtë të mërkure dhjetori ku dhjetëra nxënës nga Rahoveci, Dardana, Ohri, Gjilani, Ferizaji, Shkupi, Presheva, Ulqini etj., filluan mësimet në klasën e mësueses Lumnije Klinaku – Neziri.

Një shkëlqim i veçantë kishte pushtuar fytyrat e nxënësve të cilët reflektonin optimizëm dhe dashuri ndaj gjuhë shqipe. Një buzëqeshje që dëshmonte një gjë të tillë shihej te të gjithë nxënësit të cilët filluan mësimet me qëllim që t`ia dalin kësaj sfide.

Gjuha dëshmon atdhedashurinë, prandaj edhe kjo sfidë është një rast i rrallë në jetë për këta fëmijë të cilët edhe pse kanë lindur larg atdheut dëshirën për ta mësuar gjuhën e nënës e kanë motiv jete. Sa më herët që të fillojnë me mësimet në gjuhën shqipe, aq më lehtë do ta mësojnë atë.

Në orën mësimore të gjuhës amtare;  Sarah, Fiona, Nora, Alla, Merlindi, Ermal, Erjani, Joni, Erini, Lorani, Erjoni, Hana, Erina, Arina,  Arbiani,  Melodia,  Eliza,  Redoni  Neyla, Trëndelina, Armina, Erda etj. me përkushtim mundohen t`i dallojmë ndryshimet në mes alfabetit të gjuhës së vendit – gjuhë gjermane dhe gjuhës shqipe.

Vlen të theksohet se mësimi zhvillohet çdo të mërkure në dy grupe, nga ora 13.15 deri në orën 15.00, dhe grupi i dytë nga ora 15:00 -16:45, në shkollën fillore Rotkreuz, në komunën Risch të Kantonit Zug.Dhe në këtë fund viti, stafi pedagogjik i “Shkollës Shqipe – Zvicër” ka shumë arsye për të festuar, veçanërisht me hapjen e njëpasnjëshme të pikave shkollore në mbarë Zvicrën. Çdo pikë shkollore është festë më vete, sepse lumturinë që sjellin fëmijët në klasat ku zhvillohet mësimi në gjuhën amtare është diçka e veçantë.

Ky vit ishte dhe është një dëshmi e fortë se aty ku bëhen bashkë nxënës – prindër, mësues dhe veprimtarë të gjuhës shqipe suksesi nuk mungon. Po ashtu duhet të theksohet edhe ndihma institucionale e Ambasadave tona Kosovë – Shqipëri, dhe në veçanti  e Ambasadës së R. së Shqipërisë, e cila me gjithë stafin e saj ka qenë dhe është në shërbim të hapjes së klasave të reja dhe funksionimit të tyre, për ta organizuar sa më mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat