Aspak e vërtetë se pensionet zvicerane janë të larta!

Zvicra

Aspak e vërtetë se pensionet zvicerane janë të larta!

Nga: Lirim Begzati Më: 7 tetor 2022 Në ora: 12:51
Lirim Begzati

2390 franga për një person, kurse për çiftet 3585 franga, është pensioni maksimal që mund të realizohet në Zvicër.

Kjo vlen për pensionin bazë sipas rregullave të Shtyllës së parë - Sigurimi i pleqërisë dhe për të mbijetuarit (« Assurance-vieillesse et survivants – AVS » (fr.), « Alters-und hinterlassenenversicherung – AHV » (gj.))

Vetëm personat që kanë punuar disa dekada dhe që kanë pasur të ardhura të larta në këtë shtet, mund të synojnë realizimin e nivelit të përmendur të pensionit. Në planin praktik, vërehet qartë se nuk janë të shumtë ata që arrijnë këtë nivel të ardhurash të pensionit!

Për ata që janë të "familjarizuar" me shpenzimet dhe faturat e këtij shteti, lehtë do të kuptonin se, marrë parasysh pagesën që duhet bërë, për shembull, për qiranë e banimit, për sigurimet shëndetësore, por edhe për shpenzimet tjera bazë të domosdoshme të jetesës, me siguri se pensioni i tillë, qoftë ai edhe maksimal, shpesh nuk mjafton për me i mbuluar shpenzimet e minimumit jetik.

Me gjithë faktin e qartësisë së kësaj rregulle, çështja e të ardhurave të pensionimit mbetet shpesh enigmatike, gati se totalisht e pakuptueshme, sidomos nëse nuk analizohen dhe nëse nuk iu jepet rëndësi të tre Shtyllave që e karakterizojn sistemin pensional zviceran.

Për me arritur një pension më të lartë, duhet analizuar pra se çfarë kontributesh tjera kemi paguar apo çfarë kapitali posedojmë në dy Shtyllat tjera zvicerane të pensionimit, siç janë

- Shtylla e dytë - Arka e pensionimit (« Caisse de pension (fr.), « Pensionskasse » (gj.)) dhe Shtylla e tretë - Sigurimet private të pensionimit (« Prévoyance Privée » (fr.), « Dritte Säule » (gj.)).

Krahas pensionit maksimal që e përmendëm, për personat që kanë paguar kontribute në Shtyllën e dytë, por edhe në atë të tretë, dhe që nuk i kanë tërhequr para kohe kontributet e tyre, është e mundëshme që nga këto dy Shtylla të realizojnë të ardhura shtesë, të cilat do të mundësonin të shmangen kërkesat për ndihma nga shteti në moshën e pensionimit.

Mirëpo, sa iu përket kontributeve që paguhen në Shtyllën e dytë, problemi qëndron në atë se ndodhë shpeshherë që personat e interesuar t'i tërheqin para kohe kontributet e paguara, pra para pensionimit (për shembull, për blerjen e një banese ose hapjen e një biznesi), kështu që ndodhë nganjëherë që në moshën e pensionimit, në arkën e tillë nuk mbetet gati se asgjë!

Sa i përket Shtyllës së tretë, ajo është fakultative, kështu që nuk janë të shumtë ata që pagujnë kontribute përmes kësaj forme, për me siguruar kështu ndonjë të ardhur shtesë të pensionit.

Kuptohet se nëse një individë duhet të jetojë vetëm me një pension bazik dhe nëse në dy Shtyllat tjera nuk posedon një kapital apo ai është tejet i ulët, atëherë parashikohen ndihma/shërbime shtesë nga shteti për këto raste (ergänzungsleistungen, prestations complémentaires (gj., fr.)), kurse rregullat që aplikohen për fitimin e kësaj të drejte përputhen deri diku me ato të ndihmave sociale që kanë të bëjnë me minimumin jetik.

Kjo nënkupton pra se është krejtësisht e mundshme që edhe pse dikush ka punuar tre-katër dekada apo - siç themi - tërë jetën e tij në Zvicër, prapëseprapë mund t’i ndodhë që në moshën e pensionimit të jetë i detyruar t'iu drejtohet shërbimeve të shtetit për me kërkuar një ndihmë që i përngjan ndihmës sociale.

Për konkludim, Zvicra e priviligjon përgjegjësinë shtetërore dhe individuale, në kuadër të sistemit pensional. Me fjalë të tjera, shteti jep kontributin e tij, duke kërkuar ndërkohë edhe nga individi që të marrë gjithashtu mbi sipër disa përgjegjësi dhe të japë po ashtu kontributin e tij për sigurimin e të ardhurave për një jetë me kushte sa më dinjitoze në pleqëri!

Krejtësisht ndryshe do të dukej analiza, nëse me pensionin zviceran (pa marrë parasysh shumën e të ardhurave) vendoset që të jetohet në vendin e origjinës! Atëherë, do të themi po, e vërtetë se pensioni zviceran do të duket shpesh shumë i lartë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat