Nderim për veprimtarin Atdhetar, Hasan Avdyli

Zvicra

Nderim për veprimtarin Atdhetar, Hasan Avdyli

Nga: Haki Latifi Më: 30 nëntor 2022 Në ora: 18:23
I ndjeri Hasan Avdyli

Nuk janë të pakta rastet kur në vorbullën e problemeve të përditshmërisë sonë, sa rutinore aq dhe dramatike, harrojmë të kujtojmë, madje edhe në ditë përvjetorësh, ato figura të shquara të historisë sonë koplekse, që me penë e pushkë dhanë gjithçka për të fituar lirinë, për të ecur në rrugën e përparimit të pandalshëm krahas kombeve të tjera, për të ruajtur mbi të gjitha vetëdijen kombtare e gjuhën shqipe – shenjën thelbësore të identitetit tonë. Por janë pikërisht këto vlera ekzistenciale që kemi trashëguar dhe i kemi sot e kësaj dite që na kujtojnë ç’valë kemi përballur dhe jemi këta që jemi.

Në historinë tonë kombëtare ndër vite, shumë breza kanë lënë një trashëgimi të pashtershme, e cila i frymëzon shqiptarët në udhën e lirisë, demokracisë dhe përparimit. Ndërsa periudha e dekadave të fundit të shekullit XX ishte për Kosovën koha e rilindjes së saj, për shkak se djemtë dhe vajzat e Kosovës u shkolluan dhe mësuan se nuk mjafton vetëm pushka për ta fituar lirinë. Ndër këta më të spikaturit ishte padyshim edhe Hasan Avdyli, një personalitet, veprimtar i shquar që dallgët e jetës nga Shishmani i Gjakovës e sollën në Zvicër. Është e vështirë të shkruhet për figurën e një veprimtari dhe qëndrestari siç ishte i ndjeri Hasan Avdyli, të përfshihet e tëra dhe të jepët në formën e të kuptuarit nga mjedisi ku jetonte gjatë veprimit të epokës së tij.

Si humanist dhe atdhetar i shquar, i lindur në Shishman të Gjakovës; njëri ndër themeluesit e Nëndegës së LDK-së në Olten/SO dhe ish kryetar e anëtar i Kryesisë së kësaj Nëndege, Hasan Avdyli, në të cilën kam pasur fatin ta njoh e të bashkëpunoj në kuadër të veprimtarisë dhe aktivitetit të Degës së LDK-së në Zvicër.

Natyrisht formimi i LDK-së në Kosovë dhe dalja e në skenën plitike të intelektualit, studjuesit shqiptar, Dr. Ibrahim Rugova dhe të lidershipit të Kosovës krijoi një hapësirë të re për përpjekjet e vazhdueshme të diasporës shqiptare siç ishte edhe në Zvicër, në ndihmë të çlirimit të vendit nga sundimi e dhuna sistematike e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Duhet thënë se diaspora e shqiptarëve të Kosovës mund e duhet shënuar si kontribuesja kryesore e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, edhe për shkak të pamundësive për të vepruar në territorin e saj. Ndaj, Hasan Avdyli kishte shumë arësye të ishte në një linjë me filozofinë politike të Presidentit Rugova e të bëhej një ndër veprimtarët më të devotshëm për çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës

Bashkatdhetarët dhe bashkëveprimtarët mërgimtarë në Zvicër, sidomos në Nëndegën e LDK-së në Olten, e mbajnë mend Hasan Avdylin si një personalitet me cilësitë e një njeriu të mençur e të urtë, karizmatik e më një zë të fuqishëm në përmbajtje, si një intelektual që ushqente besim, krijonte atmosferë entusiazmi dhe dëshmonte fuqinë e mendimit të tij atdhetar e demokratik.

Me përkushtimin e jashtëzakonshëm të tij, Hasan Avdyli punoi me mish e me shpirt për bashkimin e mërgimtarëve shqiptarë dhe për këtë qëllim bashkëpunoi ngushtë me shumë veprimtar të tjerë me emër në Zvicër sidomos në regjionin e Oltenit siç janë; Ismet Krasniqi, Isuf Hasani, Mr. Shaip Latifi, Hajdar Sadria, Maxhun Shala, Marjan Komoni, Hamzë Morina etj.

Dihet se, misioni i secilit atdhetar për çlirim, ishte atdheu i lirë dhe shteti të ndërtohet krah shteteve e kombeve të lira. Misioni ynë i djeshëm, ishte shumë i vështirë, sepse, kishim përball një okupator që për gati një shekull u përpoq të na shkombëtarizonte, të na shpronësonte, të na largonte nga trojet tona, madje edhe duke kryer terror, masakra e gjenocid ndaj popullit tonë. Falë atdhetarëve të paepur dhe vijimit të rrugës më të ndritur, nga Lidhja e Prizrenit e këndej, Politika paqësore e udhëhequr nga presidenti Rugova me bashkëpunëtor,Ushtria Çlirimtare e Kosovës, u bënë një ndër faktorët vendimtar për çlirim dhe pavarësi. Në udhëtimin tonë për Çlirim dhe Pavarësi, gjeti mbështetje tek shtetet mike, te faktori ndërkombëtar në krye me SHBA, për të arritur sot këtu jemi.

Hasan Avdyli kudo që ishte me guxim e pa asnjë hamendje, shprehte mendimet e qëndrimet e veta për çështjet organizative e kombëtare, duke folur e diskutuar, madje edhe duke dhënë edhe propozime konkrete për të pasur sukses.

Pas Luftës Hasan Avdyli thjesht iu gëzua çlirimit të Kosovës dhe mbeti gjithnjë besnik i vijës së urtë e filozofisë përbashkuese të presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.

Ndërsa pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008 Dega e LDK-së në Zvicër organizoi një ndër tubimet më të mëdha festive në Trimbach/SO, ku nikoqire ishte Nëndega e LDK-së në Olten. Hasani me bashkëveprimtarë të kësaj nëndege dhanë kontributin e tyre prej themelimit të kësaj nëndege nga viti 1990.

Në vleresim të veprimtarisë se tij të shquar dhe kontributin e dhënë për pavarësi të Kosovës, Hasan Avdyli është nderuar nga Dega e LDK-së në Zvicër me Mirënjohje, në shenjë falenderimi.

Por ky aspekt nuk është çeshtje që mund të trajtohet në këtë kujtim nderimi për mikun tim të çmuar Hasan Avdyli, me rastin e asaj dite të dhimbshme, kur njeriu i urtë e besnik i filozofisë së politikës Ibrahim Rugovës dhe i Kosovës ndërroi jetë, më 30 nëntor 2021.

Para sysh më del jeta e tij plot sakrificë, një jetë e mbushur me dinjitet urtësi dhe krenari. Ai ishte njeriu i urtë që dinte të përballonte çdo sfidë dhe të triumfonte mbi të keqen. Po ja në mbrëmjen e ditës së 30 nëntorit 2021, në rrjetin social Facebook lexoj një ikje, një dhimbje, një largim të parakohshëm të burrit të nderuar Hasan Avdyli. Lexoj dhe nuk besoj një status që kishin bërë në facebook, miku ynë njëherit kryetar i Nëndegës së LDK-së në Olten z. Zeqir Gjukaj,

Ikja e një miku të paqtë ishte një lajm i hidhur dhe një ditë e trisht. Familja e Hasanit, atë ditë kishte më pak dritë dhe më shumë trishtim. Mes shumë kujtimesh një gjë na vjen ndër mend: Urtësia, qetësia, dashuria për njerëzit dhe sakrifica për të bërë vetëm mirësi.

U detyrova ta rilexoj këtë status që nuk do doja të shkruhej kurrë, për një mik të mirë, për një veprimtar, për një burrë Malësie, për një nder dhe krenari të Dukagjinit dhe mbarë Kosovës. E marrë në telefon mikun tim Zeqir Gjuka për të vërtetua lajmin e kumtit. Duke i shprehir ngushëllime të thella për humbjen e mikut Hasan. Por e tillë është jeta. Qindra komente e ngushëllime për këtë burrë janë pak sepse e tillë është veprimtaria e tij e përkushtuar, të tilla janë gjurmët e tij, të thella atdhedashurie e përkushtimi.

Vdekja e tij na goditi në shpirt neve shokëve të tij, por ishte një goditje e rëndë edhe për Nëndegën e LDK-së në Olten dhe në Zvicër e cila humbi një veprimtar e organizator të jashtëzakonshëm.

Me këtë dua të përmend faktin se Hasan Avdyli nuk ishte thjesht një veprimtar, ishte gjithashtu dhe një personalitet, vepra e të cilit mund të konsiderohet shumëdimensionale, para së gjithash humane e shoqëruar me vendosmërinë, përkushtimin dhe devotshmërinë e pafund për t’i dhënë Kosovës lirinë e pavarësinë e saj.

Dhe për fund, unë dua t’i kërkoj ndjesë personazhit tim të këti shkrimi, që u këput e ra si një lis, sepse nuk e di a do ta përshkruaj dot portretin e tij ashtu siç e ka formësuar Hasan Avdylin me punën dhe veprimtarin e tij jetësore. Sepse, për Hasanin meriton të shkruhet më tepër se një libër, por kur e kishim në jetë dhe qënronte në këmbë ai na dukej si një libër pa fund, që do ta kishim pëjetësisht. Hasani është e do të jetë i pavdekshëm, edhe pse i ka vënë krahët dheut e po çlodhet. I mori me vete ato lule të bukura të Kosovës që ujiteshin e rriteshin me gjakun e dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës!

Atdhetarizmi është rrugë e gjatë, për atdhetarin kjo rrugë mbaron kur atij i mbaron jeta!

Liria e Kosovës dhe shtetësia integruese, tash e njohur ndërkombëtarisht, përfundimisht qetësuan varrin dhe shpirtin e Hasan Avdyli, ashtu siç qetësuan gjithë shpirtrat e dëshmorëve e martirëve të rënë për liri. Njëkohësisht, qetësuan shpirtrat e patriotëve të gjithë brezave e kohëve, atdhetarëve të vdekur për liri të Kosovës. Sepse, Shpirti i dëshmorëve, martirëve dhe gjithë veprimtarëve atdhetarë, qetësohet vetëm atëherë, kur toka dhe populli i tyre jetojnë të lirë, dhe vetëm atëherë, kur ndërgjegjja e të gjallëve, i qon në vend amanetet e tyre. Thënë me pak fjalë. Ishte dhe mbeti një njeri në kuptimin e plotë të fjalës me virtyte të larta njerëzore, të cilat duhet të jenë shembull për brezat e ardhshëm.

Për të bërë gjera të mëdha në jetë nuk të nevojitet buja dhe pompoziteti. Kështu që njerëzit janë produkt i familjes dhe shoqërisë. I tillë ka qenë edhe Hasan Avdyli, produkt i një familje të nderuar dhe një shoqërie të shëndoshë e me vlera të spikatura atdhetarie.

Që nga ikja e tij në amshim, Hasan Avdyli po na mungon çdo ditë e më shumë, jo vetëm familjes, por mbarë shoqërisë e veçanërisht bashkëpunëtorëve të afërt të tij, çdo moment presim të na shfaqet i buzëqeshur, i urtë i dashur, pedant dhe plot hijeshi…!

Lavdi e përjetshme atdhetarit, Hasan Avdyli

I pastë shpirti dritë!

17 mars 2022

Haki Latifi (Ish kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër dhe anëtar i KP të LDK-së 2007-2017)

Image
Pamje nga ceremonia mortore për veprimtarin Hasan Avdyli

 

* Shënim shtesë: Shkrimi është botuar në librin, „Monografi- Hasan Avdyli“, 2022 nga Autori, Ismet Krasniqi. Publikohet në një vjetorin e shkuarjës në amshim.

30 nëntor 2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat