“Një udhëtim i shkurtër po kthehet në luks” – Bashkatdhetari nga Zvicra ngre alarmin për çmimet e larta të biletave ajrore drejt Kosovës

Zvicra

“Një udhëtim i shkurtër po kthehet në luks” – Bashkatdhetari nga Zvicra ngre alarmin për çmimet e larta të biletave ajrore drejt Kosovës

Nga: M.L. Më: 17 qershor 2025 Në ora: 16:15
Foto ilustrim

Një bashkatdhetar nga Zvicra, me anë të një letre në adresë të gazetës "Bota sot" ka ngritur shqetësimin e tij publik lidhur me çmimet e larta të biletave ajrore për fluturimet nga Cyrihu drejt Prishtinës, duke e cilësuar situatën si “shfrytëzim të pastër” dhe një pengesë serioze për lidhjet familjare dhe kulturore me vendlindjen.

“Po ju drejtohem si një prind i dy fëmijëve dhe si një qytetar i shqetësuar për drejtësinë sociale dhe çmimet që po na imponohen nga kompanitë ajrore”, shkruan ai në një reagim publik. Ai tregon se për një udhëtim të thjeshtë prej 1 orë e 45 minutash nga Cyrihu në Prishtinë, është i detyruar të paguajë plot 3,200 franga për familjen e tij – një shumë që e cilëson absurde dhe të papërballueshme për një familje punëtore.

“Ky çmim nuk ka më lidhje me shërbim apo cilësi – kjo është thjesht shfrytëzim”, thotë ai për "Bota sot", duke shtuar se nuk ka asnjë luks apo trajtim të veçantë në këtë fluturim të zakonshëm brenda Evropës. Ai ngre dyshime nëse këto çmime po bëhen me qëllim për të penguar diasporën që të kthehet në vendlindje.

“Shumë prej nesh udhëtojmë për të parë prindërit, për të çuar fëmijët te gjyshërit, për të ruajtur lidhjet familjare dhe kulturore. Por me këto çmime, kjo po bëhet luks, jo më e drejtë themelore”, thekson ai.

Bashkatdhetari shpreson që përmes mediave zëri i tyre të dëgjohet dhe që institucionet përkatëse të ndërmarrin masa për të adresuar këtë situatë, të cilën e konsideron të turpshme dhe të padrejtë ndaj diasporës shqiptare.

Ky reagim shton zërat kritikë që prej vitesh kërkojnë rregullim dhe transparencë në tregun e transportit ajror në rajon, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur kërkesa rritet ndjeshëm dhe çmimet shpesh arrijnë nivele të paarsyeshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat