SHBK “Salih Çekaj” mban mbledhjen e rregullt në Zofingen – Fokus në projektin për Heroin Fehmi Agani dhe vizitat në Kosovë

Zvicër

SHBK “Salih Çekaj” mban mbledhjen e rregullt në Zofingen – Fokus në projektin për Heroin Fehmi Agani dhe vizitat në Kosovë

Më: 6 korrik 2025 Në ora: 10:58
Foto nga takimi

Shoqata Bamirëse Kulturore “Salih Çekaj” në Zvicër ka mbajtur më 5 korrik 2025 mbledhjen e saj të rregullt në ambientet e klubit “Dardania” në Zofingen. Gjatë këtij takimi, u raportua mbi aktivitetet dhe projektet në zhvillim, të cilat u vlerësuan si mjaft të suksesshme nga anëtarët e kryesisë dhe të pranishmit.

Në qendër të diskutimeve ishte projekti për Ekspozitën dhe Katalogun (Librin) për Heroin Fehmi Agani, i cili është drejt përfundimit. Shoqata bëri thirrje për mbështetje financiare nga mërgata shqiptare, përmes donacioneve në llogarinë bankare të shoqatës ose përmes anëtarëve të saj.

Njoftimi:

Njoftim nga SHBK “Salih Çekaj” – Zvicër

Mbledhja e rregullt e mbajtur më 05.07.2025 në klubin “Dardania” në Zofingen

Shoqata Bamirëse Kulturore “Salih Çekaj” në Zvicër, më datë 5 korrik 2025, mbajti mbledhjen e saj të rregullt në ambientet e klubit “Dardania” në Zofingen. Gjatë mbledhjes, në disa pika të rendit të ditës, u raportua mbi punën dhe aktivitetet e shoqatës, të cilat u vlerësuan si mjaft të suksesshme.

📚 Projekti për Ekspozitën dhe Katalogun (Librin) për Heroin Fehmi Agani

Ky projekt është në përfundim e sipër dhe përfaqëson një nismë të rëndësishme për ruajtjen e kujtesës historike. Lusim të gjithë mërgimtarët që dëshirojnë të kontribuojnë, ta bëjnë këtë përmes llogarisë bankare të shoqatës apo drejtpërdrejt përmes anëtarëve të kryesisë.

🗓️ Vizitat Tradicionale në Kosovë

Gjatë mbledhjes u caktua data dhe programi i vizitave tradicionale në Kosovë. U vendos që më datë 7 gusht 2025 të realizohen vizitat pranë shtatores së Heroit Salih Çekaj dhe tek figura të tjera të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Për orarin dhe detajet e programit do t’ju njoftojmë me kohë.

🤝 Ftesë për Anëtarësim në SHBK “Salih Çekaj” – Zvicër

Të nderuar mërgimtarë, ju ftojmë që të na bashkoheni si anëtarë të SHBK “Salih Çekaj”. Duke u bërë pjesë e kësaj shoqate, ju kontribuoni drejtpërdrejt në bamirësi, si dhe në ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe traditës shqiptare në diasporë.

Me shumë respekt,

Kryesia e SHBK “Salih Çekaj” – Zvicër

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat