Përvjetori i 16-të i SHBK “Salih Çekaj”

Zvicër

Përvjetori i 16-të i SHBK “Salih Çekaj”

Më: 6 shkurt 2026 Në ora: 10:20
Foto ilustrim

Të nderuar anëtarë të SHBK „Salih Çekaj“ në Zvicër,

si dhe të gjithë kontribuesit që në forma të ndryshme e keni përkrahur shoqatën,

Urime të përzemërta me rastin e 16-vjetorit të themelimit!

Më 06.02.2026 shënohen plot 16 vite veprimtarie të palodhur, që nga dita e 06.02.2010, kur u themelua SHBK „Salih Çekaj“ në Zvicër, me seli në klubin „Iliria“ në Menzingen.

Gjatë këtyre 16 viteve kemi kaluar së bashku një rrugëtim të gjatë veprimtarie bamirëse dhe kulturore, pa u lodhur e pa u ankuar asnjëherë, por gjithmonë të përkushtuar, pa pyetur për mundin, lodhjet, shpenzimet dhe kohën që shpesh ia morëm familjes. Të gjitha këto aktivitete i realizuam për një qëllim të lartë e fisnik bamirsinë: t’u gjendemi pranë atyre që kishin më së shumti nevojë.

Kultura, si njëra ndër shtyllat kryesore të ruajtjes së Identitetit Kombëtar Shqiptar, ishte prioritet i shoqatës krahas bamirësisë, si dy shtyllat themelore të veprimtarisë sonë. Përgjatë këtyre 16 viteve kemi shënuar shumë suksese në të dy këto drejtime, për të cilat duhet të ndihemi krenarë të gjithë – anëtarë dhe kontribuues.

Me këtë rast, në këtë përvjetor të 16-të me radhë, ju falënderoj nga zemra, në emër të Kryesisë së SHBK „Salih Çekaj“ në Zvicër, për kontributin tuaj të çmueshëm, pa të cilin ky sukses nuk do të ishte i mundur.

Urojmë që, të bashkuar si deri më tani, të vazhdojmë me suksese të reja, të rrisim anëtarësinë dhe rrethin e kontribuuesve, sepse sa më shumë të jemi, aq më i madh do të jetë suksesi.

Me shumë nderime,

Kryesia e SHBK „Salih Çekaj” në Zvicër.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat