Prodhues nga Kosova dhe kompani zvicerane takohen sot në një forum të posaçëm për eksport, furnizim, prodhim me porosi dhe krijimin e partneriteteve të reja ekonomike.
Mbi 25 kompani prodhuese nga Kosova do të prezantojnë sot kapacitetet dhe produktet e tyre para bizneseve zvicerane, në kuadër të Forumit B2B Zvicër–Kosovë, që mbahet në Starling Hotel në Saint-Sulpice të Lausanne-s.
Forumi përfshin kompani nga sektorë me potencial të lartë eksportues: përpunimi i drurit dhe prodhimi i mobiljeve, shtëpitë dhe strukturat e parafabrikuara, përpunimi i metaleve, tekstili dhe veshmbathja.
Pas hapjes zyrtare janë planifikuar takime të drejtpërdrejta ndërmjet kompanive. Synimi është që prodhuesit nga Kosova të paraqesin ofertat e tyre dhe të shqyrtojnë mundësi konkrete për eksport, furnizim, prodhim me porosi dhe nënkontraktim për tregun zviceran dhe atë evropian.
Në hapjen e forumit pritet të marrin pjesë përfaqësues të organizatorëve, të projektit GROW dhe të Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës, si dhe ambasadori i Kosovës në Bernë, Mentor Latifi.
Në agjendë janë paraparë edhe prezantime nga përfaqësuesit e industrisë së drurit, ndërtimeve të parafabrikuara, metaleve dhe tekstilit. Pjesa kryesore e forumit u kushtohet takimeve ndërmjet bizneseve, shkëmbimit të përvojave dhe krijimit të kontakteve të reja profesionale.
Forumi organizohet nga platforma Albinfo, Think B, Groupe Orllati dhe Probat Group, në bashkëpunim me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit të Kosovës. Ngjarja mbështetet nga projekti GROW, i financuar nga Suedia dhe i zbatuar nga Swisscontact në Kosovë.
Projekti synon të ndihmojë sektorin privat të Kosovës të bëhet më konkurrues, të përmirësojë standardet e prodhimit dhe ta zgjerojë praninë në tregjet ndërkombëtare.
Takimi në Lausanne ka rëndësi të veçantë edhe për bizneset shqiptare në Zvicër, të cilat mund të shërbejnë si partnerë, importues, investitorë ose ndërmjetës për hyrjen e produkteve nga Kosova në tregun zviceran.
Forumi mbahet vetëm disa javë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s, përfshirë Zvicrën. Marrëveshja zbatohet nga 1 tetori 2026 dhe krijon mundësi të reja për rritjen e shkëmbimeve ekonomike.